
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, gjatë një interviste në emisionin ‘News24 Fundjavë’. Ai deklaroi se kompania turke e përfshirë në tenderin e tunelit të Llogarasë ishte e njohur nga Rama dhe jo nga ministrja Belinda Balluku, duke shtuar se Balluku nuk mundi të kryente vjedhjet e dyshuara e vetme.
Balliu tha se kryeministri ka rreth 60 mesazhe me Evis Berberin, ish-kreun e ARRSH-së, i cili aktualisht ndodhet në burg. Ai nënvizoi se Rama, sipas tij, duhet të largohet nga zyra “me hir apo pahir” nga qytetarët.
“Tashmë korrupsioni ka dalë sheshit. Nuk ka asnjë vlerë se çfarë ore hyn dhe del Balluku, për sa kohë ajo nuk është në burg. Për akuza të njëjta, persona të tjerë kanë përfunduar në burg. Nëse Balluku meriton një ditë burg, një vit meriton Rama. Belinda Balluku nuk i njihte turqit, por Rama. Atë e çoi Rama atje. 7 orë takim në kryeministri, ka qenë kërcënim nga ana e Ballukut që; unë të marr me vete, se s’jam Veliaj. Nëse Rama nuk jep dorëheqje, është detyrë kombëtare nxjerrja e tij me hir apo pahir nga zyra”, tha Balliu.
Ai ftoi qytetarët që të marrin pjesë në protestën e së hënës, duke shtuar se forma e protestës do të jetë “me çdo formë dhe mënyrë”, dhe theksoi se Balluku nuk mund ta kishte kryer këtë veprim e vetme, duke i atribuara përgjegjësinë kryesore kryeministrit.