Vendosni fjalën kyçe....

22 Nëntori, Dita e Alfabetit Shqip – për herë të parë festë zyrtare kombëtare



Sot shënohet Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e njohur zyrtarisht si festë kombëtare. 22 nëntori mban një simbolikë të veçantë, pasi përkujton momentin më unifikues të shqiptarëve: Kongresin e Manastirit, mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, ku u vendos përfundimisht alfabeti i gjuhës shqipe.

Kjo ditë është shpallur festë zyrtare pas vendimit të Këshillit të Ministrave dhe miratimit nga Kuvendi në shkurt të këtij viti. Kjo është hera e parë që Dita e Alfabetit Shqip kremtohet me statusin e një feste kombëtare, një nismë që erdhi edhe pas diskutimeve në Samitin e Diasporës.

Në Kongresin historik të Manastirit morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete, klube dhe shoqata shqiptare. Delegatët miratuan alfabetin latin, të përshtatur me disa ndryshime për gjuhën shqipe. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, ndërsa nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi. Parashqevi Qiriazi ishte gruaja e vetme që mori pjesë në këtë tubim historik.

Kongresi i Manastirit mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të fillimshekullit XX për shqiptarët, duke shtruar themelet e unifikimit kulturor dhe gjuhësor, që më vonë çuan drejt shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

Edhe në Maqedoninë e Veriut, kjo ditë festohet si festë kombëtare e shqiptarëve. Në Manastir ndodhet Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ku ekspozohen rreth 56 fotografi të delegatëve dhe 230 dokumente historike në format digjital dhe fizik.