
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua zyrtarisht publikut më 21 nëntor, në një fjalim ku reagoi ndaj shqetësimeve në rritje për planin e ri të paqes, i cili sipas raportimeve përputhet gjerësisht me kërkesat e vjetra të Rusisë.
Pa e përmendur drejtpërdrejt propozimin amerikan, Zelensky e cilësoi situatën si “komplekse” dhe paralajmëroi se vendi po hyn në një fazë tejet të ndjeshme të presionit diplomatik, sipas Kyiv Indipendent.
“Ukraina së shpejti mund të përballet me një zgjedhje jashtëzakonisht të vështirë. Ose humbjen e dinjitetit, ose rrezikun e humbjes së një partneri kyç. Ose 28 pika të komplikuara, ose dimrin më të vështirë deri më tani dhe rreziqet që pasojnë,” tha Zelensky në Telegram, duke e quajtur situatën “një nga momentet më të vështira për vendin.”
Presidenti theksoi se vendimet do të merren mbi bazën e interesit kombëtar dhe në koordinim me aleatët kryesorë:
“Interesi kombëtar i Ukrainës duhet të merret në konsideratë. Do të ndjekim një dialog të qetë me Amerikën dhe të gjithë partnerët tanë. Do të ketë një kërkim konstruktiv për zgjidhje me partnerin tonë kryesor.”
Ai i bëri thirrje klasës politike të shmangë përçarjet e brendshme në një moment kritik:
“Duhet të mbledhim veten, të ndalojmë grindjet, të ndalojmë lojërat politike. Shteti duhet të funksionojë. Parlamenti i një vendi në luftë duhet të punojë në unitet. Qeveria duhet të punojë në mënyrë efektive.”
Plani i SHBA-së: Kompromise të forta që Kievi i ka refuzuar më parë
Plani 28-pikësh i hartuar nga administrata Trump parashikon:
dorëzimin de facto të disa territoreve në Donetsk që Ukraina ende kontrollon,
reduktimin e madh të forcave të armatosura,
heqjen dorë përgjithmonë nga anëtarësimi në NATO.
Zyrtarë të Ukrainës kanë deklaruar se ky draft ngjan me kërkesat afatgjata të Kremlinit.
Trump tha më herët në Fox News Radio se shpreson që marrëveshja të firmoset “deri në Ditën e Falënderimeve, më 27 nëntor”, një afat që Zelensky nuk e ka komentuar publikisht, por që në Ukrainë është interpretuar si presion i drejtpërdrejtë politik.
Zelensky konfirmoi se ka zhvilluar biseda të detajuara me nënpresidentin amerikan Vance dhe Sekretarin e Ushtrisë Driscoll lidhur me elementët e planit:
“Ramë dakord që të punojmë së bashku me Amerikën dhe Europën, në nivel këshilltarësh, që rruga drejt paqes të jetë vërtet e zbatueshme,” tha ai.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë amerikan kundërshtoi claim-in e Rustem Umerovit – sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës – i cili tha se nuk kishte prekur apo ndryshuar asnjë klauzolë në draftin e SHBA-së.
Fillimisht, dokumenti përfshinte një propozim për auditim të gjithë ndihmës ndërkombëtare për Ukrainën. Në versionin e mëvonshëm, kjo klauzolë u zëvendësua me një tjetër që ofron “amnisti të plotë për veprimet gjatë luftës” të të gjitha palëve të përfshira.
Ky ndryshim ka hapur debat të gjerë në Kiev dhe është interpretuar nga disa si një përpjekje për të shmangur hetimet ndaj zyrtarëve ukrainas.