Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Protesta për Ballukun ishte reagimi i duhur, opozita nuk duhet të ulet në tryezë me Ramën



Partia Mundësia organizoi një protestë ditën e djeshme përpara Kryeministrisë, në një kohë kur zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ndodhej brenda godinës për më shumë se shtatë orë.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Agron Shehaj deklaroi se kjo ishte mënyra e vetme e pranueshme që një parti opozitare duhej të reagonte përballë një situate të tillë, duke theksuar se Balluku është tashmë e pandehur dhe nën masë sigurie të vendosur nga GJKKO.

“Ishte e paimagjinueshme që qeveria, pasi Belinda Balluku u shkarkua me vendim gjykate, thuri plane si do ta mbrojë dhe çfarë do të bëjë, sepse nuk e lëshon dot. Një parti opozitare, në pak orë dhe me ato mundësi që kishim, u organizuam dhe shkuam t’i kërkonim Ramës të jepte dorëheqjen dhe të mos pengonte drejtësinë për Ballukun. Duhet të shkonim aty ku ata po fshiheshin,” – tha Shehaj.

Lidhur me qëndrimin e deritanishëm të Partisë Demokratike, ai u shpreh se opozita duhet të veprojë ndryshe dhe të mos bëjë lëshime.

“Ka disa ngjarje që janë të pakuptueshme, si komisioni për Reformën Zgjedhore, ku ulen në një tryezë me Ramën. Është e pakuptueshme sipas meje. Rama ndenji me orë të tëra me Ballukun dhe Ulsi Manjën dhe kanë planifikuar ç’mund të bëjnë për të shpëtuar Belën sot, që të shpëtojnë veten e tyre nesër,” – tha ai.