
Reshjet e dendura të mëngjesit të sotëm kanë shkaktuar probleme serioze në Pogradec, ku lumi i Vërdovës ka dalë nga shtrati duke dëmtuar rëndë infrastrukturën rrugore. Uji ka shkatërruar trotuarin, kanalizimet dhe ka dëmtuar rrjetin elektrik, ku një shtyllë energjie paraqet rrezik shembjeje.
Në terren ndodhen ekipet e emergjencës dhe grupet e OSHEE-së, të cilat po punojnë për stabilizimin e situatës dhe parandalimin e incidenteve të tjera. Në lagjen nr. 1, për shkak të reshjeve të shumta, uji ka depërtuar në disa oborre banesash. Autoritetet bëjnë të ditur se situata po shkon drejt normalizimit dhe se ekipet vendore po asistojnë banorët e prekur.
Problematika më shqetësuese paraqitet në fshatin Turan, ku prurjet e rritura të lumit Dunavec kanë shkaktuar përmbytje në disa banesa. Sipas banorëve, dëmet janë të konsiderueshme: uji ka hyrë në shtëpi duke i bërë të pabanueshme, është rrezikuar bagëtia dhe janë përmbytur bazat ushqimore.
Vështirësi janë raportuar edhe në rrugën e fshatit Peshkëpi, ku qarkullimi i automjeteve është bllokuar në të vetmin aks që lidh fshatin me qytetin. Forcat e Emergjencave Civile dhe ekipet e Bashkisë Pogradec janë nisur drejt zonës për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit normal sa më shpejt të jetë e mundur.
Banorëve u është bërë thirrje të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa rruga të hapet plotësisht.