
Qeveria ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ankimin ndaj vendimit të GJKKO për të pezulluar nga detyra Belinda Ballukun si zëvendës kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, sipas Shqiptarja.com.
Kjo lëvizje vetëm pak pas deklaratës të kryeministrit Edi Rama, e para për këtë çështje, të mbajtur në konferencën për shtyp pas samitit për Planin e Rritjes.
Sipas kreut të qeverisë me kete vendim të GJKKO, është cënuar pavarësia e pushtetit ekzekutiv, duke marrë kompetencat e një kryeministri, të presidentit dhe të parlamentit.
“Pezullimi është vendim i një gjykate që ne do ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese, si një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e Pushtetit Ekzekutiv dhe Gjykata Kushtetuese do duhet të na thotë se cili është qëndrimi i saj bazuar mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pra, nuk jemi në kushtet, kur duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit, mund të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë. Kështu që, për periudhën që flasim, qeveria e Shqipërisë nuk ka zëvendës kryeministër dhe nuk ka një ministër të infrastrukturës dhe energjisë, që funksionon”, tha Rama.
Ndërkohë, dje qeveria i ka hequr Ballukut edhe të drejtën e firmës.