
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së komisioneres së Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, e cila gjatë vizitës në Tiranë i cilësoi zgjedhjet e 11 majit si “të lira dhe të ndershme”. Këlliçi e quajti këtë qëndrim “skandaloz” dhe “qokë politike” në favor të kryeministrit Edi Rama.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Këlliçi shkruan se deklarata e Kos bie ndesh me raportet e BE-së dhe të OSBE-ODIHR-it.
“Deklarata e Komisioneres së Zgjerimit, Marta Kos, se zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira dhe të ndershme, është skandaloze dhe qokë politike për kryeministrin më të korruptuar dhe autoritar të Europës” – tha ai.
Ai kujtoi se raporti i ODIHR-it ka përcaktuar qartë se “partia në pushtet përfitoi gjërësisht nga burimet administrative” dhe se “konkurentët nuk patën fushë loje të barabartë” – theksoi Këlliçi.
Sipas tij, Kos po anashkalon edhe provat për ndikimin e krimit të organizuar dhe shitblerjen e votës, të evidentuara si në raportin e ODIHR-it ashtu edhe në Progres-Raportin e Komisionit Europian.
“Deklarata të tilla të zyrtarëve ndërkombëtarë, pa analizën dhe kontekstin e duhur, nuk e ndihmojnë popullin shqiptar; përkundrazi, kanë një kosto të jashtëzakonshme për një vend të vogël si Shqipëria” – u shpreh ai.
Këlliçi shtoi se qëndrime të tilla krijojnë “konfuzion mbi vlerat që Europa mbështet në Shqipëri” dhe se bien ndesh me realitetin që përshkruajnë mediat ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, e kanë cilësuar Ramën si kreun e narkoshtetit.
“Shqiptarët nuk kanë nevojë për show politik dhe Europa nuk ka nevojë për bluzat me emrin e Edi Ramës” – tha më tej Këlliçi, duke akuzuar politikanë të caktuar europianë se “i shërbejnë qorrazi agjendës së Fondacionit Soros”.