
Një lëvizje nga Holanda për t’u tërhequr nga marrja në kontroll e prodhuesit të çipeve kompjuterike Nexperia u përshëndet nga Kina të mërkurën si një “hap i parë në drejtimin e duhur” për lehtësimin e mungesave të furnizimit me çipe, pas bisedimeve midis dy qeverive.
Megjithatë, Nexperia dhe pronari i saj kinez Wingtech përsëritën se ata janë ende në mosmarrëveshje, ndërsa prodhuesit e makinave thanë se ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit nuk janë zgjidhur. Ministria kineze e Tregtisë tha se veprimi holandez nuk mjafton për t’i dhënë fund plotësisht ndërhyrjes siç kishte kërkuar ajo.
Qeveria holandeze mori kontrollin e Nexperia-s më 30 shtator, duke thënë se lëvizja ishte e nevojshme për të parandaluar ish-kreun e kompanisë që të zhvendoste operacionet evropiane në Kinë nga baza e saj në Holandë. Në përgjigje, Pekini ndaloi eksportet e produkteve të gatshme të Nexperia-s më 4 tetor, një masë që e ka zbutur pjesërisht që atëherë.
Ministri holandez i Ekonomisë, Vincent Karremans, tha në një deklaratë të mërkurën se lëvizja e tij e fundit ishte një gjesti mirëbesimi, dhe se bisedimet do vijojnë.
“Ne i vlerësojmë masat e marra tashmë nga autoritetet kineze për të siguruar furnizimin me çipa në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës,” tha ai në një deklaratë.
Kreu i tregtisë së BE-së, Maros Sefcovic, tha se lëvizja do ndihmonte në stabilizimin e zinxhirëve të furnizimit.
Nexperia është furnizues kryesor i çipave bazë kompjuterikë për industrinë e makinave, dhe mungesat kanë kërcënuar zinxhirët e furnizimit të automobilave, duke çuar në ngadalësime dhe ndërprerje të prodhimit, shruan Reuters.
BMë, Bosch dhe Aumovio, thanë se e mirëpritën zhvillimin, por se ishte shumë herët për të gjykuar se çfarë ndikimi do kishte, ndërsa Mercedes-Benz dhe Volksëagen nuk pranuan të komentojnë.
Nexperia prodhon shumicën e pllakave të saj në Hamburg, Gjermani, dhe më pas i dërgon ato në Dongguan, Kinë, për t’u paketuar dhe dërguar te klientët.
Lobi i industrisë gjermane të automjeteve VDA tha se ndërprerjet si rezultat i mosmarrëveshjes ishin larg zgjidhjes, duke shtuar se efektet e mëtejshme negative në prodhim nuk mund të përjashtoheshin.