
Kryeprokurori i Kosovës Besim Kelmendi është shkarkuar nga detyra.
Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Prokurorisë. Vendim vjen një ditë pasi Kelmendi u mor në pyetje nga Prokuroria Speciale si dëshmitar lidhur me masakrën e Reçakut.
Ai e kundërshtoi shkarkimin duke thënë se e gjitha ishte një skemë kundër tij.
“Sepse njerëzit të cilët janë duke planifikuar gjithë këtë lojë, janë pjesë e gjithë një plani. Ky është plan, sepse dëshirojnë ta kenë njeriun që kanë interes të pastër. Dëshirojnë me pas një njeri i cili dje gjatë seancës dëgjimore si dëshmitar, ka qenë prezent jo njëherë, por dy herë – për me shiku a jam unë ai që po flas e për çka po flas. Ju lutem, çdo gjë për këtë plan të tmerrshëm të një grupi për një interes të një individi të cilin e kam përkrah vazhdimisht, është mëse e turpshme dhe joligjore”, tha Kelmendi, shkruan Koha.
Kelmendi dje u intervistua nga Prokuroria Speciale si dëshmitar për masakrën e Reçakut. Ai hodhi poshtë raportimet se ka qenë bashkëpunëtor i gjyqtares hetuese të rastit të Reçakut, Danica Marinkoviç. Ai në një konferencë shtypi tha se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ka punuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe këtë e ka shfrytëzuar për t’i ofruar dokumente Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut si dhe mediave për mbulimin e krimeve që bënte Serbia.
Në vendin e tij është emëruar prokurori Agron Qalaj.