
Kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj tha mbrëmjen e sotme se zv.kryeministrja Belinda Balluku mund të arrestohet.
Sipas tij, ky do ishte hapi tjetër logjik i drejtësisë.
I ftuar në emisionin “Log”, deputeti theksoi se Balluku nuk mund të qëndrojë më në detyrë pasi mund të ndikojë në hetime dhe përveç kësaj mund të ketë përsëritje të veprës penale.
“Tani që flasim, Belinda Balluku nuk është më zv/kryeministre. Ajo nuk mund të kalojë kufirin dhe nuk mund të qëndrojë në detyrë kur është e pandehur, sepse ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale ose i ndikimit në hetime. Nuk besoj se ekziston shansi më i vogël që ajo të qëndrojë në qeveri. Hapi tjetër i logjikshëm do ishte kërkesa për arrest të Ballukut, sepse ajo ka rrezik të ndërhyjë në hetime.” – tha Shehaj.