
Gazment Bardhi ka reaguar pas masave të sigurimit të vendosura nga GJKKO ndaj ish-ministres Belinda Balluku, duke e cilësuar këtë zhvillim si një ditë të mirë për luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e llogaridhënies.
“Rënia e Belinda Ballukut është çelje kapitulli, jo përrallat e Ramës” – tha Bardhi.
Ai u shpreh se të vetmit që përfitojnë nga ky vendim janë qytetarët që, sipas tij, janë dëmtuar nga “taksat e tyre të vjedhura”.
“Të fituar janë qytetarët e dëmtuar, të fituar janë ata që luftuan e denoncuan” – deklaroi ai.
Bardhi theksoi se “të humburit e mëdhenj” janë kryeministri Edi Rama dhe Balluku, ndërsa akuzoi deputetët socialistë se nuk treguan përgjegjësi në asnjë moment.
“Ata nuk manifestuan përgjegjësi dhe moral. Tentuan të mbronin aferat dhe të mbanin me thonj postin për të penguar drejtësinë. Dhe sot u turpëruan” – u shpreh ai.
Sipas Bardhit, ky është vetëm një hap i parë, ndërsa drejtësia duhet të vijojë me hetimet për “abuzimet qindra milionëshe”, “krimet elektorale” dhe “lidhjet me krimin”.
“Drejtësia ka ende rrugë përpara për të bërë” – tha ai.
Në përfundim, Bardhi kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të Ballukut dhe dorëheqjen e kryeministrit.
“Shkarkimi i Belinda Ballukut dhe dorëheqja e Edi Ramës janë e vetmja rrugë për të çliruar Shqipërinë nga sistemi i korruptuar qeverisës” – përfundoi ai.