
Kreu i lëvizjes “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar pas përjashtimit të tij nga Kuvendi, duke sqaruar se protesta e tij ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku ishte e motivuar nga statusi i saj si e pandehur nga SPAK dhe nga, sipas tij, arroganca me të cilën ajo vijon të përfaqësojë qeverinë.
“Nuk duhet të lejojmë që një e pandehur të dalë dhe t’u bëjë moral qytetarëve shqiptarë,” tha Shehaj, duke e cilësuar të papranueshëm standardin institucional që lejon përfaqësues të akuzuar të mbajnë pozita të larta.
Ai ngriti shqetësimin për menaxhimin e buxhetit dhe për keqadministrimin e fondeve publike, duke përmendur nevojat urgjente në sektorin e shëndetësisë: “Në vend që paratë të shkojnë te Onkologjiku, sepse qytetarët nuk kanë ilaçe, ato vidhen.”
Shehaj paralajmëroi se nëse nuk ka reagim institucional, situata mund të përsëritet edhe me kryeministrin Rama: “Sepse kur nesër të merret Edi Rama i pandehur, do të bëjë të njëjtën gjë.”
Ai e përmbylli deklaratën duke kërkuar dorëheqjen e Ballukut dhe duke theksuar se përballja e tij në Kuvend ishte një akt proteste ndaj arrogancës dhe mungesës së përgjegjësisë politike.