Vendosni fjalën kyçe....

Seanca maratonë në Kuvend/ Balluku merr pjesë në seancë, PS rrëzon kërkesën e PD-së për mocion me debat për minimumin jetik


Kuvendi zhvilloi ditën e sotme një seancë maratonë për shqyrtimin e paketës fiskale dhe projektbuxhetit për vitin 2026. Ky buxhet, me vlerë 8.8 miliardë euro, shoqërohej me 8 projektligje, pesë prej të cilave ndryshime ligjore në fuqi dhe tre të reja, që u diskutuan me procedurë të përshpejtuar.

Në seancë ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama dhe për herë të parë pas marrjes së statusit të të pandehurit nga SPAK, zv.kryeministrja Belinda Balluku iu bashkua punimeve.

Gjatë fjalës së tij, Rama u përball me reagime ironike nga deputetët e PD-së dhe komentoi se opozita po bën “prokurorinë popullore”, ndërsa vlerësoi se drejtësia është e pavarur, duke bërë edhe një referencë indirekte për çështjen e tunelit të Llogarasë dhe Ballukut.

Opozita kundërshtoi paketën fiskale, duke argumentuar se ajo erdhi vonë dhe nuk kishte kohë për shqyrtim të detajuar, ndërsa qeveria e prezantoi atë si një instrument të rëndësishëm për paqen fiskale dhe faljen e detyrimeve të prapambetura për qindra biznese.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ironizoi duke kërkuar që deputetët e PS-së të duartrokasin zëvendës kryeministren Belinda Balluku, të cilën ai e cilësoi si “të pandehur nga SPAK”. Menjëherë reagoi kryeparlamentari Niko Peleshi, i cili i tërhoqi vëmendjen Bardhit duke i thënë se fjala nuk mund të përdoret për të goditur personalisht kolegët. Bardhi këmbënguli se nuk ka fyer askënd dhe se, sipas tij, po përmendte vetëm “një status ligjor”.

Gazment Bardhi: Ftoj kolegët e PS-së, mqs e kanë kthyer në traditë duartrokitjen, që përpara se të fillojnë punimet e Kuvendit, ti japim një duartrokitje të pandehurës nga SPAK për abuzim me 50 mln euro në tenderin e Llogarasë

Niko Peleshi: Ju jap masën tërheqje vëmendje. Ju nuk e keni fjalën për të personalizuar goditje dhe për të cilësuar kolegët, fjalën e keni për të folur për projekt kalendarin dhe programin.

Gazment Bardhi: E kuptoj që është fjalë turpi për ata që kanë turp statusin e pandehur. Por është brenda etikës. Është status ligjor, nuk fyeva njeri, është status ligjor i saj. Nuk po them çfarë i thotë ajo Edi Ramës se ajo mund të jetë fyerje edhe shkelje e etikës. Nuk e përdora e kanë në raport me njëri-tjetrin.

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend, iu përgjigj akuzave të opozitës për tenderin e tunelit të Llogarasë. Rama mohoi pretendimet për një dëm prej 50 milionë eurosh, duke i quajtur akuzat e opozitës “gënjeshtra që tejkalojnë realitetin”. 

“Gënjeshtrat tuaja të vetëdijshme apo jo, janë me dhjetëra herë mbi realitetin. Përsa i përket tunelit të Llogarisë, ai 50 mln euro është si 450 mln euro i inceneratorit.

Ndërkohë, i rrini fort ligjit andej. Natyrisht që sot pikërisht pse drejtësia është e pavarur, shqiptarët i referohen drejtësisë dhe jo atyre që duan të bëjnë prokurorin rrugëve dhe që pastaj kur dalin në rrugë, mbeten kashtë e koqe, siç më thanë se kishit mbetur para dy netësh.”, tha ai.

Gazment Bardhi, reagoi pas fjalës së kryeministrit Edi Rama në Kuvend, duke e akuzuar se po mbron ministren e pandehur nga SPAK, Belinda Balluku.

Bardhi tha se opozita nuk ka bërë prokurorinë, por vetëm ka cituar prokurorinë, ndërsa pyeti Ramën se çfarë e detyron të bëjë “avokatin e vjedhjes së fondeve publike”. 

“Zoti kryetar i Kuvendit, më lejoni që të sjell në vëmendje se dënimet kolektive i kemi lënë pas në kohën e paraardhësve tuaj.

S’ka gjë më etike se t’i kthesh kurrizin një njeriu të korruptuar, një njeri që u paraqit këtu jo si avokat i interesit publik, por avokat i vjedhjes së inceneratorëve, apo i kësaj afere të qeverisë.

Ai nisi mbrojtjen se si ne duhet të bëjmë prokurorin  ndaj Belinda Ballukut.

Ne nuk e bëmë prokurorinë, por sollëm në vëmendje se çfarë ka thënë prokurori.

Ne kemi cituar prokurorinë. Po ty çfarë të detyron që të vish në këtë faltore dhe të bësh avokatin e një të pandehure për vjedhje e fondeve publike, prej 50 mln euro.

Shqiptarët presin rritje reale të pagave apo pensioneve.”, tha ai.

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, gjatë fjalës së tij në Kuvend, deklaroi se ka kërkuar që para një muaji interpelancë me Belinda Ballukun, atëherë jo e pandehur, por kërkesa i është mohuar. Ai e quajti këtë moment historik, duke theksuar se për herë të parë një zv.kryeministër shqiptar po përballet me drejtësinë dhe e cilësoi situatën si e paprecedentë edhe në historinë e Europës.

“Një muaj kam që kam kërkuar interpelancë me Ballukun atëherë jo e pandehur. Kjo interpelancë më është mohuar. Ky është një moment historik sepse për herë të parë në histori të pushtetshmit po dalin para drejtësisë. E para herë në historinë e Europës një zv kryeministër në arrati, Balluku është e pandehur”, tha ai.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku theksoi edhe njëherë që qeveria duhet të sigurojë minimumin jetik në projektbuxhetin e vitit 2026.

Nga Kuvendi, ajo tha se PS, në 13 vite qeverisje ka refuzuar ligjin për minimumin jetik. Tabaku tha se që të hiqet hendeku i të ardhurave të shqiptarëve me ato të rajonit dhe të BE-së, duhet që të sigurohet minimumi jetik.

Më pas Taulant Balla ironizoi opozitën për kërkesat e tyre të vazhdueshme për mocion me debat, më të fundit atë për mungesën e ligjit të minimumit jetik në projektbuxhetin e vitit 2026. Balla tha se në Kuvend po diskutojnë për këtë çështje, ndërsa ironizoi teksa tha se “ka nga ju që nuk kuptojnë shqip”.

Në vijueshmëri PS rrëzoi kërkesën e PD për mocion me debat për minimumin jetik.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi në Kuvend se Paqja Fiskale nuk jep imunitet për personat nën hetim apo në procese gjyqësore dhe nuk përbën amnisti penale.

Sipas tij, qëllimi është të zbatohet një menaxhim më i mirë tatimor, duke përfshirë faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore të parashkruara, ndërsa Administrata Tatimore do të vijojë me masa për mbledhjen e detyrimeve, përfshirë bllokime llogarish dhe konfiskime asete.

“Ne nuk po ndërmarrim një Amnisti. Nëpërmjet “Paqes Fiskale’’, nuk falim përgjegjësi penale. Nuk garantojmë imunitet për askënd dhe mbi të gjitha nuk i shërbejmë askujt që është nën hetim apo në procese gjyqësore.  

Ne synojmë të zbatojmë disa masa të domosdoshme, të ngjashme me praktikat e mëparshme dhe që përputhen me standardet për një menaxhim më të mirë tatimor.

Gjithashtu me projektligjin e faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore mbyllim kapitullin e borxheve të vjetra të parashkruara.

Administrata Tatimore, nga ana tjetër, po vijon punën për të forcuar masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, duke zbatuar masa që shkojnë deri në bllokime të llogarive bankare, konfiskime dhe shitje të aseteve, për të mbuluar detyrimet tatimore.”