Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Shqipëria meriton vend në tryezën e BE-së, krimi s’është ekskluzivitet i Tiranës



Kryeministri Edi Rama deklaron se Shqipëria e meriton një vend në tryezën e Bashkimit Europian, duke theksuar reformat dhe mbështetjen e gjerë publike për integrimin. Në një intervistë për Euronews, Rama tha se vendi ka hyrë në fazën e fundit të negociatave dhe se viti 2030 shihet si një datë e mundshme anëtarësimi.

Sipas Euronews, Shqipëria konsiderohet një nga vendet favorite për zgjerimin e radhës, e ndikuar edhe nga dinamika gjeopolitike pas pushtimit rus të Ukrainës.

Rama theksoi se krimi dhe korrupsioni mbeten sfida serioze, por “nuk janë një fenomen vetëm shqiptar”.

“A kemi probleme me krimin e organizuar? Po, por kush nuk ka? Shikoni Brukselin — edhe aty ka krim”, tha ai.

Kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria ka kaluar një transformim të thellë dhe është e përkushtuar ndaj BE-së, duke e quajtur unionin “një perandori të mirë” që garanton lirinë dhe sundimin e ligjit. Komisioni Europian vlerëson përparimet, por kërkon intensifikim të luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Në intervistë, Rama foli edhe për marrëdhënien e ngushtë me Italinë dhe mbrojti marrëveshjen e migracionit të vitit 2023, duke thënë se ishte ndihmë e nevojshme për Romën:

“Italia na kërkoi, dhe kur Italia kërkon, ne themi po. Italianët janë shqiptarë të veshur me Versace.”

Kryeministri theksoi se modeli i marrëveshjes së migracionit nuk do të zgjerohet në vende të tjera, pavarësisht interesit të disa shteteve europiane.

Në fund, Rama nënvizoi se perceptimi për Shqipërinë ka ndryshuar: dikur “një gropë e mjerë në mes të Evropës”, sot pjesë e mozaikut europian.