
Princi i Kurorës dhe kryeministri i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, është pritur të mërkurën në Kongresin amerikan, në ditën e dytë të vizitës së tij në SHBA, një tur i fokusuar në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe të sigurisë mes dy vendeve, ndërsa kritikat për shkeljet e të drejtave të njeriut mbeten të pranishme.
Vizita vjen një ditë pas pritjes së bujshme në Shtëpinë e Bardhë, ku Presidenti Donald Trump e mbrojti hapur bin Salmanin për vrasjen e gazetarit të Washington Post, Jamal Khashoggi, në vitin 2018.
Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë konkluduar se princi e ka miratuar operacionin, por Trump zgjodhi një tjetër qasje. Gjatë takimit në Zyrën Ovale ai tha se ishte “nder të ishte mik i liderit saudit”.
Edhe pjesëmarrja në darkën gala në Shtëpinë e Bardhë shërbeu si sinjal politik i rehabilitimit të plotë të bin Salmanit në Washington.
Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, në darkë morën pjesë figura të rëndësishme republikane, përfshirë kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson, kreun e Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë Jim Risch dhe kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës Brian Mast, përcjell Reuters.
Ndërkohë, një moment domethënës ishte prania në takim e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, i cili në vitin 2019 e kishte quajtur bin Salmanin “gangster”.
Në atë kohë Rubio deklaronte se princi ishte “i pamëshirshëm, i rrezikshëm dhe gjithnjë e më i gatshëm të testojë limitet e SHBA-së”. Sot, vetëm disa hapa larg, ai mori pjesë në takimin zyrtar pa rezerva publike.
Megjithëse imazhi i princit saudit është përmirësuar në Uashington, pritja në Kongres të mërkurën ishte dukshëm më e ftohtë se ajo zakonisht rezervuar për liderët botërorë.
Bin Salmani mbërriti në Kapitol të shoqëruar nga Mike Johnson, i cili mbajti një pritje me pjesëmarrjen e disa kongresmenëve republikanë dhe demokratë. Ngjarja nuk u njoftua zyrtarisht dhe zyra e Johnson nuk komentoi.
Kryetari republikan i Senatit John Thune dhe vetë Johnson nuk organizuan asnjë moment fotografik apo deklaratë për shtyp — një praktikë e zakonshme për vizita të tilla.
Nga ana tjetër, disa ligjvënës shprehën hapur kritikat e tyre. Senatori Tim Kaine e dënoi ashpër pritjen e dhënë princi në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë: “Në vend që t’i shtronte tapetin e kuq MBS-së dhe të përdorte presidencën për marrëveshje private hotelesh, Trump duhet të kërkonte përgjegjësi për familjen e Khashoggit dhe të shtynte Arabinë Saudite të avancojë interesat e sigurisë së SHBA-së.”
Ai shtoi se kjo ishte një tjetër provë se “Trump vendos interesat e tij financiare mbi interesin e popullit amerikan”.
Gjatë takimit, bin Salman u angazhua të rrisë investimet saudite në SHBA nga 600 miliardë dollarë në 1 trilion dollarë. U njoftuan edhe marrëveshje të reja për shitje armësh, bashkëpunim në fushën e energjisë bërthamore civile dhe inteligjencës artificiale.
Senatorja demokrate Jeanne Shaheen shprehu shqetësimin e saj mbi disa nga nismat e reja, duke kërkuar nga administrata Trump që “të informojë komisionin për çdo angazhim të marrë” gjatë vizitës së bin Salmanit.
Ndërkohë, princi merr pjesë edhe në një konferencë të madhe investimesh në Washington, me drejtues të kompanive më të mëdha amerikane, ndërsa turri i tij në SHBA shihet si një fazë e re e marrëdhënieve mes dy vendeve, në kontrast të plotë me izolimin diplomatik që pasoi vrasjen e Khashoggit.