Vendosni fjalën kyçe....

Portreti i Gustav Klimt që i shpëtoi jetën nga nazistët modeles, thyen rekordin e artit modern, shitet 236 milionë dollarë


Elisabeth Lederer sajoi një histori se Klimt, i cili nuk ishte hebre dhe kishte vdekur në vitin 1918, ishte babai i saj, dhe fakti që artisti kaloi vite duke punuar me përpikëri në portretin e saj e ndihmoi këtë pretendim.

Një pikturë portret e Gustav Klimt, e cila ndihmoi në shpëtimin e jetës së subjektit të saj hebre gjatë Holokaustit, u shit të martën për 236.4 milionë dollarë, një rekord për një vepër të artit modern.

“Portreti i Elisabeth Lederer” i Klimt u shit pas një lufte 20-minutëshe ofertash në Sotheby’s në Nju Jork, ku objekti më i bujshëm i mbrëmjes ishte një tualet prej ari të pastër dhe plotësisht funksional, i cili u shit për 12.1 milionë dollarë.

Portreti 1.8 metra i lartë, i pikturuar gjatë tre viteve midis 1914 dhe 1916, paraqet vajzën e një prej familjeve më të pasura të Vjenës, të stolisur me mantelin e një perandori të Azisë Lindore. Është një nga dy portretet me trup të plotë të artistit austriak që mbeten në pronësi private. Vepra ishte mbajtur e ndarë nga pikturat e tjera të Klimt, të cilat u dogjën gjatë një zjarri në një kështjellë austriake.

Piktura plot ngjyra përshkruan jetën luksoze të familjes Lederer para se Gjermania naziste të aneksonte Austrinë në vitin 1938. Nazistët plaçkitën koleksionin e artit të familjes Lederer, duke lënë pas vetëm portretet e familjes, të cilat konsideroheshin “tepër hebreje” për t’u vjedhur, sipas Galerisë Kombëtare të Kanadasë, ku piktura kishte qenë më parë e huazuar.

Në një përpjekje për të shpëtuar veten, Elisabeth Lederer sajoi një histori se Klimt, i cili nuk ishte hebre dhe kishte vdekur në vitin 1918, ishte babai i saj biologjik. Fakti që artisti kishte kaluar vite duke punuar me përpikëri në portretin e saj ndihmoi në besueshmërinë e kësaj historie.

Me ndihmën e ish-kunatit të saj, një zyrtar i lartë nazist, ajo i bindi nazistët t’i lëshonin një dokument ku thuhej se ajo rridhte nga Klimt. Kjo i lejoi asaj të qëndronte e sigurt në Vjenë derisa vdiq nga një sëmundje në vitin 1944.

Portreti ishte pjesë e koleksionit të miliarderit Leonard A. Lauder, trashëgimtar i gjigantit të kozmetikës The Estée Lauder Companies. Ai vdiq këtë vit në moshën 92-vjeçare, duke lënë pas një koleksion mbresëlënës me vlerë më shumë se 400 milionë dollarë.

Sotheby’s refuzoi të bënte publik identitetin e blerësit të portretit. Shitja tejkaloi një rekord të mëparshëm për artin e shekullit të 20-të, të vendosur nga një portret i Marilyn Monroe nga Andy ëarhol, i cili u shit për 195 milionë dollarë në vitin 2022.

Pesë vepra të Klimt nga koleksioni i Lauder u shitën në ankand për një total prej 392 milionë dollarësh, njoftoi Sotheby’s, shkruan Ynet.