Vendosni fjalën kyçe....

“Doktrina Donroe”/ Loja e pushtetit e Trump në Amerikën Latine e përpjekja për kontrollin e hemisferës


Presidenti Trump e nisi vitin me zotimin për të konfiskuar Kanalin e Panamasë, për të marrë kontrollin e Groenlandës dhe për të riemërtuar Gjirin e Meksikës si Gjiri i Amerikës.

Ai po e mbyll vitin duke sulumuar varka nga Amerika e Jugut, duke dislokuar aeroplanmbajtësen më të madhe në botë në Karaibe dhe duke shqyrtuar mundësitë ushtarake kundër udhëheqësit autokratik të Venezuelës, Maduro.

Në një kthesë të mprehtë të dekadave të politikës së jashtme të SHBA-së, Hemisfera Perëndimore është shndërruar në teatrin qendror të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit. Përveç kërcënimeve dhe veprimeve ushtarake, Shtëpia e Bardhë këtë vit ka zbatuar tarifa ndëshkuese, sanksione të rënda, fushata presioni dhe paketa shpëtimi ekonomik në gjithë Amerikën.

Trump ka thënë se ai kërkon të ndalojë hyrjen e drogës dhe emigrantëve në Shtetet e Bashkuara. Por, në momente të tjera, zyrtarë të lartë të administratës kanë qenë të qartë se qëllimi i tyre madhor është të vendosin mbizotërimin amerikan mbi gjysmën e vet të planetit.

“Ai beson se kjo është lagjja ku ne jetojmë,” tha Mauricio Claver-Carone, i dërguari i posaçëm i Trump për Amerikën Latine deri në qershor, i cili vijon të këshillojë Shtëpinë e Bardhë.

“Dhe nuk mund të jesh fuqia kryesore globale nëse nuk je fuqia kryesore rajonale.”

Shtetet e Bashkuara kanë provuar prej kohësh të anojnë peshoren rreth Amerikës Latine, ku në të shkuarën kanë mbështetur grushte shteti ushtarake, kanë kryer operacione të fshehta dhe kanë pushtuar Panamanë.

Ajo politikë e jashtme e SHBA-së shpesh ishte e lidhur me ideologjinë. Gjatë Luftës së Ftohtë, ekzistonte përpjekja për të mbrojtur kapitalizmin, edhe nëse kjo nënkuptonte mbështetjen e diktatorëve. Në dekadat e fundit, ndërsa vëmendja u zhvendos drejt luftërave dhe konkurrencës në hemisferën tjetër, fokusi ishte te demokracia dhe tregtia e lirë në Amerikën Latine.

Qasja e Trump duket thjesht pragmatike: Çfarë përfiton SHBA-ja nga kjo?

Kontrolli më i fortë i hemisferës, dhe veçanërisht i Amerikës Latine, premton përfitime të mëdha. Burime të bollshme natyrore, pozicione strategjike sigurie dhe tregje fitimprurëse janë të gjitha në lojë.

I mbështetur nga një ekip këshilltarësh me një histori të gjatë në Amerikën Latine, më i spikaturi Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Trump po bën një rishikim rrënjësor të politikës së SHBA-së në rajon për të tentuar marrjen e këtyre përfitimeve.

Efekti ka qenë një riorganizim i politikës në gjithë kontinentin amerikan. Shumë krerë kanë bërë çmos për t’u rreshtuar me Trump, duke fituar shpesh përfitime të mëdha në këmbim ose kanë vënë qeveritë e tyre në rrezik duke e sfiduar atë.

Shumë vëzhgues kanë filluar ta quajnë qasjen e re të SHBA-së “Doktrina Donroe” – një term që u shfaq në një kopertinë të janarit të The New York Post – një kthesë e stilit Trump mbi një ide të shekullit të 19-të.

Në vitin 1823, Presidenti James Monroe aspironte të ndalonte fuqitë evropiane që të ndërhynin në hemisferë.

Në vitin 2025, fuqia konkurruese është Kina, e cila ka ndërtuar një fuqi të jashtëzakonshme politike dhe ekonomike në Amerikën Latine gjatë dekadave të fundit.

Disa analistë të politikës së jashtme besojnë se Trump do dëshironte ta ndante botën me Kinën dhe Rusinë në sfera ndikimi. Muajt e fundit, zyrtarë të lartë të SHBA-së e kanë shpjeguar strategjinë e tyre me këto terma.

“Hemisfera Perëndimore është lagjja e Amerikës dhe ne do e mbrojmë atë,” shkroi të enjten Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, në shembullin më të fundit.

Për një president që u rrit në Nju Jork – ku biznesmenët, politikanët dhe bosët e mafias luftojnë për territor – kontrollimi i një lagjeje është logjikë e thjeshtë, thonë ish-zyrtarë dhe analistë.

“Ai e përkthen atë këndvështrim shumë lokalist të Nju Jorkut në një këndvështrim global,” tha John Feeley, një ish-ambasador i SHBA-së në Panama.

Dhe nëse e vendosni në kontekstin aktual, Amerikat janë sfera e tij e ndikimit.”

Por, si ta sigurosh lagjen?

Shtëpia e Bardhë ka eliminuar shumë nga programet e ndihmës të hartuara për të nxitur ndikimin dhe vullnetin e mirë në të gjithë Amerikën Latine. Në vend të kësaj, Trump duket i përqendruar në krijimin e një liste aleatësh në rajon, ose të paktën të qeverive të bindura.

Për ta bërë këtë, ai ka shpërblyer udhëheqësit që kanë rënë në përputhje me kërkesat e tij dhe ka ndëshkuar ata që nuk e kanë bërë këtë.

Për shembull, presidenti Javier Milei i Argjentinës bëri fushatë për ta “Bërë Argjentinën Përsëri të Madhe” dhe vuri në dyshim humbjen e Trump në zgjedhjet e vitit 2020. Kur qeveria e tij po lëkundej në prag të një krize ekonomike muajin e kaluar, administrata Trump erdhi me një paketë shpëtimi prej 20 miliardë dollarësh dhe, në zgjedhjet afatmesme disa ditë më vonë, partia e Milei fitoi thellë.

Të nesërmen, Trump mori meritat.

“Po e marrim vërtet në dorë situatën në Amerikën e Jugut,” u tha ai gazetarëve.

Të enjten, Trump dhe Milei njoftuan kornizën e një marrëveshjeje tregtare që duhet t’i japë Shteteve të Bashkuara më shumë qasje në mineralet e rëndësishme të Argjentinës.

Në El Salvador, presidenti Nayib Bukele ra dakord të pranojë më shumë se 200 të dëbuar venezuelianë në burgun e sigurisë së lartë të vendit të tij, kur asnjë komb tjetër nuk i donte ata.

Trump e lavdëroi menjëherë Bukelen para kamerave në Zyrën Ovale dhe, si një shtysë kritike për industrinë e turizmit të El Salvadorit, Departamenti i Shtetit hoqi paralajmërimin e udhëtimit për këtë vend.

Bukele, i cili ka mbikëqyrur një goditje të gjerë kundër krimit brenda vendit, mori gjithashtu diçka tjetër që dëshironte: kthimin e krerëve të bandës MS-13 që ndodheshin në paraburgim amerikan. Zyrtarët e SHBA-së kishin gjetur më parë prova të negociatave të fshehta midis qeverisë së Bukeles dhe krerëve të bandave; ai ka mohuar të ketë ndonjë pakt me ta.

Për shumëkënd, bashkëpunimi me Trump ka qenë një strategji fituese.

El Salvadori, Ekuadori dhe Guatemala siguruan javën e kaluar marrëveshje të reja tregtare. Panamaja i ka shmangur kërcënimet e Trump. Marrëdhënia pozitive me Uashingtonin ka ndihmuar disa krerë të Amerikës Latine të mbeten ndër më popullorët në rajon, dhe më shumë figura të krahut të djathtë duket se po ngrihen në pushtet pas tyre.

Bolivia i dha fund dy dekadave të qeverisjes së majtë muajin e kaluar, një zgjedhje e festuar nga zyrtarët amerikanë. Kili duket se është gati të zgjedhë një president të krahut të djathtë, i cili e ka mbështetur hapur Trump. Dhe zyrtarët e Trump kërkuan të ndihmojnë një kandidat kryesor për presidencën e Perusë, një kryebashkiak të krahut të djathtë i njohur si “Porky”, pikërisht ndërsa ai mbajti një përkujtimore për Charlie Kirk, aktivistin konservator të vrarë në shtator.

Nga ana tjetër, ka pasur pasoja për ata që nuk bashkëpunojnë.

Shtëpia e Bardhë ka punuar për të ndëshkuar tre qeveritë e majta autokratike të Amerikës Latine, duke kërcënuar me tarifa 100 për qind mbi importet nga Nikaragua, duke izoluar më tej Kubën dhe duke nisur një fushatë intensive presioni kundër Venezuelës.

Zyrtarët amerikanë e kanë quajtur kreun autoritar të Venezuelës, Nicolás Maduro, të paligjshëm dhe kanë ofruar një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për kapjen e tij. Javët e fundit, Trump ka shqyrtuar sulmet tokësore dhe përdorimin e forcave të Operacioneve Speciale atje.

Në të njëjtën kohë, ushtria e SHBA-së ka krijuar praninë e saj më të madhe në hemisferë në dekada, me më shumë se 15,000 trupa. Javën e kaluar, Marina zhvendosi aeroplanmbajtësen e saj më të madhe brenda rrezes së sulmit ndaj Venezuelës.

Që nga shtatori, ushtria e SHBA-së ka kryer 21 sulme kundër skafeve që thotë se po transportojnë drogë, duke vrarë 83 persona. Zyrtarët amerikanë nuk kanë paraqitur prova se varkat po kontrabandonin drogë.

Ajo fushatë shumë e pazakontë, e cila ka ngritur shqetësime në Kongres dhe gjetkë lidhur me ligjshmërinë e saj, është përdorur gjithashtu për t’u bërë presion kombeve të tjera.

Në Kolumbi, për shembull, presidenti Gustavo Petro është bërë një nga kritikët dhe objektivat më të spikatur të Trump.

Pasi Petro, një i majtë, kritikoi sulmet ndaj varkave, Shtetet e Bashkuara ndërprenë ndihmën dhe ushtria e tyre goditi një varkë që vinte nga Kolumbia. Më pas, Departamenti i Thesarit vendosi sanksione ndaj Petro-s, duke e akuzuar atë si trafikant droge. Popullariteti i Petro-s ka rënë dhe analistët besojnë se kombi mund të kthehet nga e djathta në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Si një shenjë e ndikimit të Trump, forumi kryesor diplomatik për hemisferën, Samiti i Amerikave, u anulua papritur këtë muaj për herë të parë në historinë e tij 31-vjeçare. Organizatorët përmendën “ndasi të thella që aktualisht pengojnë dialogun produktiv”.

Kur bëhet fjalë për lojtarët më të mëdhenj të hemisferës, Trump ka hasur kufizime në strategjinë e tij të presionit dhe kërcënimeve.

Si dy partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shteteve të Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja ruajnë një ndikim të jashtëzakonshëm. Secili prej tyre ka gjetur mënyra për të përmbushur disa nga kërkesat e Trump, ndërkohë që kanë qëndruar të palëkundur për të tjerat. Dhe krerët e këtyre kombeve, secili nga parti të prirura nga e majta, kanë përfituar politikisht nga qasja e tyre ndaj Trump.

Por Brazili përfaqëson rastin më të fortë testues për qasjen e Trump. Në korrik, ai e goditi kombin me tarifa 50 për qind dhe sanksione, në një përpjekje për të ndalur ndjekjen penale nga qeveria braziliane ndaj ish-presidentit Jair Bolsonaro, një aleat i Trump-it.

Presidenti aktual i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, e kritikoi shpejt Trump-in dhe pa shifrat e tij në sondazhe të rriteshin. Brazili më pas e shpalli fajtor Bolsonaro-n për përpjekje për të organizuar një grusht shteti dhe e dënoi atë me 27 vjet burg.

Javë më vonë, Trump ndryshoi kurs papritur. Ai u takua me Lula-n dhe tha se e pëlqente atë, dhe tani dy kombet po negociojnë heqjen e tarifave.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani