
Një anije spiunazhi ruse ka përdorur lazer për të ndërhyrë në punën e pilotëve të RAF gjatë monitorimit të saj pranë ujërave britanike, për herë të parë, ka bërë të ditur sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey.
Ai e quajti incidentin “jashtëzakonisht të rrezikshëm”, duke shtuar se qeveria po e trajton situatën me seriozitet të plotë.
Healey tha se anija ruse Yantar ndodhej në veri të Skocisë dhe kishte hyrë për të dytën herë këtë vit në ujërat britanike gjatë javëve të fundit.
“Mesazhi im për Rusinë dhe Putinin është ky: ‘Ju shohim. E dimë çfarë po bëni. Dhe nëse Yantar lëviz drejt jugut këtë javë, jemi gati’”, deklaroi ai.
Incidenti ka ndodhur brenda dy javëve të fundit, ndërsa Yantar po ndiqej nga një fregatë e Marinës Mbretërore dhe avionë zbulues RAF Poseidon P-8.
Healey konfirmoi se ka ndryshuar rregullat e angazhimit për Marinën Mbretërore, duke i lejuar mjetet detare britanike ta ndjekin anijen ruse më nga afër.
“Sido që të jetë intensiteti i lazerit, çdo gjë që cenon sigurinë e pilotëve tanë është thellësisht e rrezikshme”, tha ai.
Yantar është në shërbim që prej vitit 2015 dhe i përket Drejtorisë Kryesore Ruse për Kërkime në Thellësi Detare (GUGI), e cila, sipas Healey, angazhohet në “survejim në kohë paqeje dhe sabotim në kohë konflikti”.
Ambasada ruse në Londër mohoi çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme, duke deklaruar se Moska “nuk është e interesuar për komunikimet nënujore britanike” dhe se veprimet e saj “nuk prekin interesat e Mbretërisë së Bashkuar”.
Megjithatë, ambasada shtoi se Londra po ndjek “një rrugë rusofobike që rrit histerinë militariste”, duke krijuar rreziqe të reja në Europë.
Fotografi të publikuara nga Ministria e Mbrojtjes treguan mjetet britanike duke gjurmuar anijen ruse.
Sipas të dhënave të Marine Traffic, Yantar nuk ka transmetuar më vendndodhjen që nga 2 nëntori dhe për herë të fundit është gjurmuar në Detin Baltik.
Më 6 nëntor, Marina Hollandeze njoftoi se kishte shoqëruar anijen jashtë Detit të Veriut, pranë ujërave të saj territoriale.
Nuk ka konfirmim zyrtar për vendndodhjen aktuale, por të dhënat e FlightRadar24 tregojnë një avion të RAF Poseidon P-8 duke kryer fluturime rreth bregut skocez, i cili mund të jetë duke gjurmuar Yantarin.
Perëndimi dyshon prej kohësh se një nga misionet e Yantar është hartimi i kabllove nënujore të internetit dhe infrastrukturës kritike. Elisabeth Braw nga Atlantic Council tha se përdorimi i lazerëve nga ana e anijes ruse përbën “një përshkallëzim të qartë”.
“Qëllimi është të pengosh pilotët nga detyra e tyre. Edhe nëse lazeri nuk i verboi, ishte një provokim i pastër,” tha ajo për BBC.
Në Downing Street, Healey paralajmëroi për rritje të ndërhyrjeve ruse në hapësirën ajrore të NATO-s dhe tha se bota po bëhet “më pak e parashikueshme dhe më e rrezikshme”.
Paralelisht, Ministria e Mbrojtjes u kritikua nga një komision parlamentar për mbështetje të tepruar te kapacitetet mbrojtëse të SHBA-së. Komisioni këmbënguli se Europa duhet të forcojë kapacitetet e saj në rast të një tërheqjeje amerikane.
Healey tha se qeveria britanike “ka një qasje ndryshe”, por pranoi se Britania duhet të “rrisë ritmin e angazhimit të saj”.
Ndërkohë, Londra po negocion me BE-në për t’u përfshirë në një program të ri mbrojtës prej 150 miliardë eurosh, që nis vitin e ardhshëm. Brukseli raportohet se kërkon një tarifë hyrëse prej miliardash, ndërsa Healey tha se çdo marrëveshje “duhet të jetë me vlerë për taksapaguesit britanikë”.