Vendosni fjalën kyçe....

Krujë, kanalet e bllokuara shkaktojnë përmbytje në disa fshatra



Situatë problematike paraqitet në të gjithë ultësirën e Bashkisë Krujë, veçanërisht në fshatrat Bilaj, Murqinë, Mallkuc dhe zonat përreth. Reshjet e dendura kanë bërë që sipërfaqe të mëdha me të mbjella të përmbyten, ndërsa niveli i ujit po rritet nga minuta në minutë.

Sipas banorëve dhe autoriteteve vendore, uji i kanaleve të kullimit nuk arrin të derdhet në lumë për shkak të bllokimeve, duke dalë nëpër ara dhe duke dëmtuar kulturat bujqësore.

Niveli i ujit ka arritur në pika shqetësuese dhe ekziston rreziku që, nëse reshjet vijojnë me të njëjtin intensitet, përveç tokave bujqësore të përmbyten edhe biznese e banesa.

Shkak kryesor i situatës është mosfunksionimi i kanaleve të kullimit, të cilat në shumë raste nuk janë pastruar prej dekadash dhe janë të mbuluara nga vegjetacioni ose bllokime të tjera.