Vendosni fjalën kyçe....

Këshilltarët socialistë kërkojnë pjesëmarrjen fizike të Erion Veliajt në mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 21 nëntor



Këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës i kanë drejtuar një shkresë zyrtare SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku kërkojnë që kryebashkiakut Erion Veliaj t’i mundësohet pjesëmarrja fizike në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, që do të zhvillohet të premten, më 21 nëntor 2025, në orën 10:00.

Në shkresë argumentohet se pjesëmarrja e kryebashkiakut në mbledhjet e Këshillit Bashkiak është një e drejtë e përcaktuar në Ligjin nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”. Konkretisht, neni 58, pika 4 i jep kryetarit të bashkisë të drejtën të marrë pjesë dhe të raportojë, ndërsa neni 60 përcakton bashkëpunimin e detyrueshëm midis tij dhe Këshillit Bashkiak për çështjet e interesit publik.

Këshilltarët kërkojnë:

  • lejimin e përkohshëm të pranisë fizike të Erion Veliajt në mbledhje,
    ose,

  • mundësimin e pjesëmarrjes përmes videokonference, nëse prania fizike nuk është e mundur.

Në dokument theksohet se prania e kryebashkiakut është e domosdoshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit vendor. Po ashtu, Këshilli Bashkiak shprehet i gatshëm të zbatojë çdo kërkesë sigurie apo protokolli të institucioneve përkatëse, për të siguruar zhvillimin e një procesi transparent dhe në përputhje me ligjin.

Ndërkohë, të pyetur nga BalkanWeb, këshilltarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak thanë se nuk janë në dijeni të kësaj shkrese.