Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali pas çeljes së grupkapitullit të fundit të negociatave: Kurorëzim i një dekade reformash të guximshme


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar sot pas çeljes së grupkapitullit të fundit të negociatave të anëtarësimit, duke e cilësuar këtë moment si një pikë historike në rrugëtimin europian të Shqipërisë.

Në një postim në Facebook, Spiropali tha se vendi ka mbyllur një fazë të rëndësishme të përpjekjeve të tij dhe tashmë po hyn në një etapë të re sfidash dhe mundësish.

Sot mbyllet një cikël përpjekjesh dhe hapet një horizont i ri sfidash e mundësish, shkroi ministrja, duke shtuar se me çdo kapitull të hapur, Shqipëria shkruan një faqe të re të historisë europiane, jo më si aspiratë, por si një realitet në ndërtim.

Spiropali e quajti këtë hap “kurorëzimin e një dekade punësh të vështira, reformash të guximshme dhe besimi të palëkundur” në konsolidimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik e social dhe forcimin e drejtësisë për qytetarët.

Ajo theksoi se puna për mbylljen e negociatave do të vijojë me intensitet maksimal deri në vitin 2027, duke shtuar:

Ne nuk do të ndalemi derisa flamuri ynë të jetë në tryezën e përbashkët europiane, për Shqipërinë, Europën e Ballkanit. Gati për sfidat e punët që na presin për mbylljen e negociatave në vitin 2027. Shqipëria nuk ndalet.”