Vendosni fjalën kyçe....

Rama nga Brukseli: Viti i fundit ka qenë i jashtëzakonshëm për integrimin e Shqipërisë



Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference të përbashkët në Bruksel me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, deklaroi se viti i fundit ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Rama theksoi se procesi i negociatave ka ndihmuar vendin në mënyra që, sipas tij, do të ishin të pamundura jashtë këtij kuadri. Ai e krahasoi rrugëtimin drejt BE-së me procesin e shkollimit, ku progresi arrihet me këmbëngulje dhe korrektim të vazhdueshëm.

“Ky proces na ka ndihmuar në mënyra që në të kundërt do të ishin të pamundura. Mund të tingëllojë patetik, por është njësoj si të shkosh në shkollë: të thonë se duhet të përmirësohesh, ose të vish sërish të japësh provimin”, u shpreh Rama.

Ai nënvizoi se përfitimet e Shqipërisë nga negociatat janë “diçka më e madhe” dhe se skepticizmi, brenda apo jashtë vendit, nuk duhet të pengojë vijimin e punës së reformave.

“Viti i fundit ka qenë i jashtëzakonshëm. Të jesh skeptik nuk është e keqe, por skepticizmi nuk duhet të na ndalë”, deklaroi kryeministri.

Rama bëri edhe një krahasim historik me periudhat osmane dhe jugosllave, duke theksuar se pavarësisht sfidave, Shqipëria po tregon se është e pandashme nga projekti europian.

Kryeministri ndodhet në Bruksel në kuadër të Konferencës së 7-të Ndërqeveritare, ku u çel grupkapitulli i fundit i negociatave, duke kompletuar hapjen e të gjithë kapitujve brenda 12 muajsh.