
Në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua sot tryeza e radhës konsultuese për draftin e Kodit të ri Penal, me fokus te veprat që lidhen me pavarësinë dhe rendin kushtetues, veprat e terrorizmit dhe krimi kibernetik. Në takim morën pjesë ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, dhe ministrja e Brendshme, Albana Koçiu.
Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Policia e Shtetit, SHISH, AKSIK, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe Këshilli Konsultativ i Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore.
Gjatë fjalës së tij, ministri Lamallari kërkoi që institucionet të japin rekomandime konkrete, përfshirë edhe sugjerime ligjore të drejtpërdrejta, për t’u reflektuar në draftin përfundimtar.
“Ministria e Drejtësisë është shumë e interesuar për këtë proces dhe garanton gjithëpërfshirje dhe transparencë. Ne duam që produkti final të jetë shumatorja e të gjitha mendimeve të shprehura, bazuar në përvojë dhe logjikë,” deklaroi Lamallari. Ai theksoi se pas përthithjes së komenteve nga tryezat, grupi i punës do të hartojë dokumentin final dhe do të zhvillojë edhe një raund të dytë me institucionet që kanë dorëzuar propozime me shkrim.
Nga ana e saj, ministrja e Brendshme Albana Koçiu u ndal te nevoja për rritjen e sigurisë në hapësira të ndryshme, nga shkollat te mjedisi online.
“Rritja e sigurisë në shkolla, në rrugë, në hapësirën kibernetike, përsosja e mekanizmave kundër mashtrimit online dhe bullizmit, si dhe rritja e fuqisë goditëse për konfiskimin e pasurive kriminale janë shqetësime reale. Është detyra jonë që përballë tyre të japim mbrojtje reale, të fuqishme dhe afatgjatë,” u shpreh Koçiu.
Tryezat konsultuese për Kodin e ri Penal do të vijojnë deri në finalizimin e draftit, që synon të modernizojë kuadrin ligjor penal dhe të forcojë mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së qytetarëve.