
Një gjykatë për krime lufte në Bangladesh dënoi me vdekje të hënën ish-kryeministren Sheikh Hasina, duke përfunduar një gjyq disamujor që e shpalli atë fajtore për urdhërimin e një shtypjeje vdekjeprurëse të një kryengritjeje të udhëhequr nga studentët vitin e kaluar.
Ky vendim është veprimi ligjor më dramatik kundër një ish-kreu të Bangladeshit në dekada dhe vjen disa muaj përpara zgjedhjeve parlamentare që priten të mbahen në fillim të shkurtit.
Partia e Hasinës, Liga Awami, është ndaluar të garojë dhe ka frikë se vendimi i së hënës mund të ndezë trazira të reja përpara votimit.
Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve, gjykata e brendshme e krimeve të luftës e Bangladeshit e vendosur në kryeqytetin Daka, e dha vendimin mes masave të rrepta të sigurisë dhe në mungesë të Hasinës, pasi ajo iku në Indi në gusht 2024.
Hasina mori një dënim me burgim të përjetshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit dhe dënimin me vdekje për vrasjen e disa personave gjatë kryengritjes.
Pati brohoritje dhe duartrokitje në gjykatë pasi u shpall dënimi me vdekje.
Vendimi mund të apelohet në Gjykatën e Lartë.
Por djali dhe këshilltari i Hasinës, Sajeeb ëazed, i tha Reuters në prag të vendimit se ata nuk do e apelonin nëse një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike nuk merrte detyrën me pjesëmarrjen e Ligës Awami.
Dhuna më e keqe që nga viti 1971
Gjatë gjykimit, prokurorët i thanë gjykatës se kishin zbuluar prova të urdhrit të saj të drejtpërdrejtë për të përdorur forcën vdekjeprurëse për të shtypur kryengritjen e udhëhequr nga studentët në korrik dhe gusht 2024.
Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, deri në 1,400 persona mund të jenë vrarë gjatë protestave midis 15 korrikut dhe 5 gushtit 2024, me mijëra të tjerë të plagosur, shumica prej tyre nga të shtënat e forcave të sigurisë, në atë që ishte dhuna më e keqe në Bangladesh që nga lufta e tij e pavarësisë në vitin 1971.

Hasina u përfaqësua nga një avokat mbrojtës i caktuar nga shteti, i cili i tha gjykatës se akuzat kundër saj ishin të pabaza dhe kërkoi lirimin e saj.
Përpara vendimit, Hasina i hodhi poshtë akuzat dhe drejtësinë e procedurave të Tribunalit, duke pohuar se një vendim fajtor ndaj saj ishte “një përfundim i paramenduar”.
Gjendjac në Bangladesh ka qenë e tensionuar përpara vendimit, me të paktën 30 shpërthime me bomba artizanale dhe 26 automjete të djegura në të gjithë vendin gjatë ditëve të fundit. Megjithatë, nuk ka pasur viktima.
“E motivuar politikisht“
Hasina, 78 vjeç, e cila ka qëndruar në Indi që kur u rrëzua në gusht 2024, kundërshtoi legjitimitetin e Tribunalit në një intervistë me email për Reuters muajin e kaluar.
“Këto procedime janë një shfaqje e motivuar politikisht,” tha ajo.
“Ato janë ngritur nga gjykata me vendime fajësie të paramenduara. Ato kryesohen nga një qeveri e pazgjedhur e cila përbëhet nga kundërshtarët e mi politikë.”
Ajo tha gjithashtu se i ishte mohuar njoftimi adekuat për seancat dhe çdo mundësi kuptimplotë për të ngritur një mbrojtje, duke shtuar se ajo nuk ishte përfshirë personalisht në përdorimin e forcës vdekjeprurëse ose krimeve të tjera të pretenduara.
Vendi i Azisë Jugore prej 170 milionë banorësh është qeverisur nga një administratë e përkohshme e kryesuar nga laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Muhammad Yunus, që kur Hasina iku. Edhe pse vendi ka qenë kryesisht i qetë që atëherë, stabiliteti politik ende nuk është kthyer.
Në intervistën për Reuters, Hasina paralajmëroi për rritjen e zemërimit mes mbështetësve të Ligës Awami dhe tha se miliona besnikë të partisë do bojkotonin zgjedhjet parlamentare në shkurt.
Të hënën, masat e sigurisë mbetën të rrepta në të gjithë Dakën dhe qytetet e tjera kryesore, me forca paraushtarake të vendosura rreth ndërtesave kyçe qeveritare dhe kompleksit të tribunalit.
Autoritetet thanë se ishin përgatitur për çdo problem pas vendimit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani