
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pritet të paraqitet sot në Prokurorinë e Posaçme, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”, e cila i është vendosur më herët nga SPAK.
Paraqitja e sotme vjen pak ditë pasi Berisha refuzoi thirrjen e prokurorëve për të shkuar në SPAK në lidhje me hetimet për dosjen e “21 janarit”. Ai deklaroi publikisht se nuk kishte marrë asnjë njoftim, ndërsa SPAK bëri të ditur se fletëthirrjet janë dorëzuar në tre adresa – banesën e tij, Kuvend dhe selinë e PD – por nuk janë pranuar të tërhiqen.
Berisha është aktualisht nën hetim edhe për çështjen “Partizani”, ku ai është marrë i pandehur së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, si edhe tre persona të tjerë. Ai akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, me pretendimin se, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka ndërmarrë veprime konkrete për miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore nga të cilat ka përfituar edhe Malltezi.
Dhëndri i Berishës akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas SPAK, Malltezi ka përfituar rreth 5.4 milionë euro të ardhura të parregullta nga një projekt ndërtimi, të mundësuara nga vendime qeveritare të asaj kohe.
SPAK pritet të japë një komunikim zyrtar më vonë lidhur me paraqitjen dhe hapat e mëtejshëm të procedurës.