
Gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë këtë të dielë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se protesta do të vazhdojë “deri në rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve”.
Ai falënderoi mbështetësit për angazhimin e tyre gjatë katër viteve të fundit dhe theksoi se “nuk ka forcë në botë që të ndalojë këtë mision”.
Berisha sulmoi qeverinë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministren Belinda Balluku për përpjekje për të shkatërruar familjen shqiptare.
Ai iu referua ligjit për barazinë gjinore dhe identitetin gjinor, duke e quajtur atë “ligji i Soros” dhe pretendoi se ligji është pjesë e “fushatës së ekstremistëve të majtë për ndryshimin e gjinisë”.
Mes të tjerash Berisha u shpreh:
“Ne do të jemi këtu deri në rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve. Nuk ka mission më të shenjtë. Nuk ka forcë në botë që do të na ndalojë këtë mission. Nderime për ju që keni 4 vite të angazhuar për çdo betejë, më të vështirat, por që i futuat dhe triumfuat mbi çdo armik të pluralizmit në Shqipëri.
Jemi kundër ligjit të Soros, që shkatërron familjen. Ekstremistë të majtë ndërmorën fushatën më të paimagjinueshme të ndryshimit të gjinisë. Ligjin me të cilin u vendos padrejtësi. Ligji me të cilin presidentit Trump iu formulua ndaj tij 35 akuza dhe gjoba. Atë ligj e votoi parlamenti. S’do ta pranojmë kurrë!
Familja shqiptare do të mbetet institucioni më i shenjtë i shqiptarëve. Këtë familje Edi Rama dhe ‘Lubia’ kërkojnë ta shkatërrojnë. Kjo familje do të mbrohet me çdo çmim!”