Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëri–Angli, atmosferë feste në “Air Albania”: Sylvinho bën rotacion me pesë ndryshime


Në orën 18:00 në stadiumin “Air Albania” zhvillohet sfida e fundit e Grupit K mes Shqipërisë dhe Anglisë, një duel që për të dyja skuadrat ka vlerën e një “miqësoreje luksi”, pasi objektivat janë arritur tashmë.

Shqipëria, me 14 pikë, ka siguruar matematikisht zonën play-off të Botërorit 2026 – arritje historike për Kombëtaren. Të enjten, më 20 nëntor, kuqezinjtë do mësojnë kundërshtarin e gjysmëfinales që luhet më 26 mars 2026.

Anglia vjen në Tiranë si kryesuese absolute e grupit, me 21 pikë në shtatë ndeshje, me të gjitha fitore dhe pa pësuar asnjë gol, duke siguruar që herët biletën për finalet e Kupës së Botës në Amerikën e Veriut.

Në prag të takimit ka mbizotëruar atmosferë pozitive në kampin kuqezi. Mesfushori Adrion Pajaziti festoi 23-vjetorin bashkë me skuadrën.

Trajneri Sylvinho ka vendosur të ruajë lojtarët e rrezikuar për shkak të kartonëve. Mario Mitaj dhe Juljan Shehu mungojnë sot, ndërsa Ajeti, Manaj dhe Bajrami janë të ndëshkuar dhe dy prej tyre nuk e nisin titullarë. Për këtë arsye, tekniku aplikon rotacion me pesë ndryshime krahasuar me fitoren 0-1 në Andorra.

 

Formacionet zyrtare

Shqipëria (4-3-3):
Strakosha; Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Aliji; Asllani, Ramadani, Laçi; Hoxha, Bajrami, Uzuni.
Trajner: Sylvinho

Anglia (4-3-3):
Henderson; Burn, Quansah, Stones, O’Reilly; Bellingham, Wharton, Rice; Eze, Bowen, Kane.
Trajner: Thomas Tuchel

Mijëra tifozë janë mbledhur në bulevard dhe kanë nisur hyrjen në “Air Albania” nën masa të rritura sigurie. Edhe tifozët anglezë pritet të jenë të shumtë në tribunat e impiantit, ndërsa nuk priten incidente. Biletat janë shitur të gjitha prej ditësh.

Shqipëria dhe Anglia janë ndeshur shtatë herë më parë dhe në të gjitha rastet kanë fituar anglezët. Kuqezinjtë kanë shënuar vetëm një gol — me Altin Rrakllin në humbjen 1-3 më 28 mars 2001 — ndërsa Anglia ka realizuar 21 gola.

Takimi i fundit mes tyre ishte më 21 mars 2025 në Londër, ku Anglia fitoi 2-0. Pas asaj ndeshjeje, Shqipëria ka regjistruar gjashtë fitore dhe dy barazime, ndërsa Anglia mban rekordin perfekt në këto kualifikuese me shtatë fitore dhe pa gol të pësuar. Sfida e sotme paraqitet e vështirë për kuqezinjtë.

Ndeshjen e drejton italiani Marco Guida, i asistuar nga Giorgio Peretti, Alessio Berti dhe Simone Sozza. Në VAR do të jenë Marco Di Bello dhe Valerio Marini.