
Deputetja Ina Zhupa ka denoncuar situatën e arsimit në Sarandë, ku edhe në vitin 2025 fëmijët e ciklit 9-vjeçar detyrohen të ndjekin mësimin me dy turne, nga ora 13:00 deri në 18:00. Sipas saj, kjo praktike rëndon jetën e prindërve dhe ul cilësinë e procesit mësimor.
Zhupa theksoi se shkollat ekzistuese janë të amortizuara, pa laboratore dhe mjete didaktike bashkëkohore. Ajo kujtoi gjithashtu investimin prej 348 milionë lekësh për ndërtimin e shkollës së re “Eco Kampus”, e cila nuk është vënë ende në funksion prej tetë vitesh.
Deputetja akuzoi Bashkinë e Sarandës për vendimmarrje “skandaloze dhe kundër interesit publik”, duke pretenduar se godina e re po planifikohet t’u jepet oligarkëve dhe klientëve të pushtetit për hotele dhe resorte turistike, në vend që të shërbejë si shkollë për fëmijët e qytetit.
Zhupa bëri thirrje për tërheqjen e menjëhershme të vendimit dhe hapjen e “Eco Kampus” si shkollë funksionale, duke garantuar një mjedis modern dhe të sigurt për nxënësit. Ajo nënvizoi se qytetarët dhe prindërit duhet të ngrejnë zërin kundër këtij realiteti, i cili sipas saj është unik në Europë.