
Nëntori, tradicionalisht muaji i shqiptarëve, këtë vit sjell një moment historik për futbollin: si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, kanë siguruar kualifikimin në fazën “play-off” të Botërorit.
Federata Shqiptare e Futbollit, në një reagim në rrjetet sociale, përshëndeti arritjen e Kosovës, e cila siguroi vendin e dytë në grup një xhiro para fundit. Në reagim, FSHF e cilëson këtë sukses si një ditë të madhe për futbollin shqiptar.
“FSHF përshëndet arritjen historike të Kosovës, që për herë të parë siguron vendin në play-off të një Botërori. Kjo është një fitore që e ndjen çdo shqiptar, kudo që jeton,” thuhet në njoftim, duke cituar edhe presidentin Armand Duka, i cili e quajti momentin “dyfish krenarie”.
Federata shqiptare uron homologët kosovarë dhe drejtuesit e ekipit për suksesin dhe nxit vazhdimin e ëndrrës së përbashkët për të shkruar histori në futbollin shqiptar.