
Nju-Delhi – Ekonomia gjermane po çalon. Porositë po bien, energjia mbetet e shtrenjtë, burokracia frenon. Gjithnjë e më shumë ndërmarrje të mesme po humbasin besimin se nga Berlini do të vijë ende ndonjë ndihmë. Kështu që po kërkojnë vetë zgjidhje, sipas motos: “Tani e merr vetë në dorë shtresa e mesme.”
Njëra prej tyre: Sarna Röser (38), sipërmarrëse nga Baden-Württemberg, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës te Fielmann dhe FlatexDegiro. Në vend që të priste më, ajo mblodhi një grup sipërmarrësish të mesëm dhe u nis atje ku lindin mundësitë: në Indi. Röser për BILD: “Ne ishim në Zyrën e Kryeministrit, në komunikim të drejtpërdrejtë me këshilltarët dhe ministrat më të afërt të Narendra Modi-t.”
Ndërmarrjet e mesme familjare gjermane në tryezën e botës
Röser vazhdon: “Prej vitesh, ndërmarrjet e mesme familjare gjermane shikojne se si qeveria federale udhëton nëpër botë me të njëjtët CEO të DAX-it, sikur ata të ishin ekonomia gjermane. Por krijuesit e vërtetë nuk rrinë në avionin qeveritar, ata janë nëpër uzinat e tyre! Në një moment vendosa: mjaft ishte. Ne do ta çojmë vetë shtresën e mesme gjermane në tryezën e botës: të vendosur, të pavarur, sy më sy.”
Kështu grupi i sipërmarrësve u takua edhe me Mukesh Ambani (68), njeriun më të pasur të Azisë dhe kreun e konglomeratit miliardësh Reliance Industries. “Forbes” e vlerëson pasurinë e tij në rreth 94.80 miliardë euro.

Nita Ambani së bashku me bashkëshortin e saj Mukesh Ambani
Një pritje që zakonisht u bëhet vetëm krerëve të shteteve
Ambani kontrollon një perandori ekonomike që shtrihet nga energjia te telekomunikacioni e deri te shitja me pakicë dhe që është ndër më të mëdhatë në botë. Për sipërmarrësit gjermanë, pritja ishte e pazakontë, Ambani zakonisht pret krerë shtetesh, jo kompani të mesme. Në udhëtim ishin pronarë dhe drejtues nga sektori i furnizuesve automobilistikë, tekstilit, farmacisë, ndërtimit, logjistikës dhe energjisë. Röser: “Nuk kemi pse të presim derisa Berlini të na marrë me vete. Bota na ka shtruar tashmë tapetin e kuq; ajo do të flasë me ne, me shtyllën kurrizore të Gjermanisë, me ata që lëvizin gjërat përnjëmend.”
Udhëtimi përfaqëson një qëndrim të ri të ndërmarrjeve të mesme familjare gjermane. Në vend që të presin samite qeveritare dhe marrëveshje tregtare, sipërmarrës si Röser kërkojnë vijën direkte me ekonominë botërore. Röser: “Delegacionet tona nuk janë turne turistike. Ne hapim dyer, ndërtojmë aleanca dhe tregojmë se ndërmarrjet e mesme familjare gjermane mund të veprojnë globalisht.”
Deri tani ajo ka bashkë-nisur nëntë udhëtime të tilla nga Arabia Saudite deri në Vietnam e Indi. Gjithnjë me të njëjtin synim: të hapen tregje të reja, të lidhen kontakte, të veprohet në vend që të flitet. Röser: “Këto vende kanë dëshirë për të ardhmen! Mendojnë, veprojnë shpejt, besojnë te përparimi. Pikërisht këtë e ka harruar Gjermania.”
Udhëtimet e ardhshme janë tashmë të caktuara
Në pranverë, grupi kthehet sërish në Indi, në Raisina Dialogue, konferencën më të madhe të sigurisë në Azi organizuar nga Observer Research Foundation, një nga 10 think-tank-et më të mëdha në botë. Edhe Meksika dhe Arabia Saudite janë në program. Atje, Röser synon të vazhdojë bisedat me politikën dhe biznesin dhe të fitojë partnerë të tjerë për ndërmarrjet e mesme familjare gjermane. Röser për BILD: “E ardhmja u përket atyre që e formësojnë.”
VINI RE: Ky artikull është pronësi itelektuale e BILD