
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ka nisur puna për ngritjen e Instituti Kombëtar për Tumoret, siç e kanë shumë vende të Europës.
Rama foli edhe për marrëveshjet e nënshkruara me Italinë pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, ku u shpreh se se me këtë marrëveshje i hapet rrugë edhe partneritetit mes QSUT dhe spitalit ‘San Raffaelo’ të Milanos. Rama tha se deri në fund të mandatit, QSUT do të kthehet në pikë referimi në të gjithë Ballkanin.
“Do ngremë Institucion Kombëtar të Tumoreve, siç e kanë shumë vende të Europës. Kemi nisur punën edhe për këtë. Ishim në Itali, kemi firmosur një sërë marrëveshjes shumë të rëndësishme, dhe një nga pikat që kemi në marrëveshjen kuadër që firmosa me Melonin, është bashkëpunim strategjik edhe në funksion të shëndetit dhe kjo pikë e i hap rrugë edhe partneritetit strategjik që kemi lançuar përpara dhe që u përfol si shfaqje fushate, për të sjellë në QSUT si partner që do marrë pjesë në procesin e administrimit dhe shkëmbimit të dijes dhe në procesin e vizitave të punës së mjekeve, spitalin ‘San Raffaelo’ të Milanos që është një nga ekselencat e shëndetësisë evropiane. Me planin që kemi, në fund të këtij mandati, QSUT do jetë një nga spitalet që do jetë pikë referimi në të gjithë Ballkanin”, tha Rama.