Vendosni fjalën kyçe....

Minatorët e Spaçit prej 36 ditësh në grevë: Ne flemë mbi flori por jemi të varfër


Minatorët e Spaçit në Mirditë vijojnë grevën e tyre prej disa javësh, duke kërkuar respektimin e të drejtave nga kompania private që menaxhon minierën. Situata është përkeqësuar pas largimit nga puna të rreth 40 punonjësve, ndërsa kompania e cilësuar protestën si shkaktare të dëmeve ekonomike.

Minatorët kanë paraqitur shqetësimet e tyre edhe në Komisionin për të Drejtat e Njeriut në Kuvend. 

Në studion e “News24 Fundjavë” ishte i ftuar sot minatori Albert Bushpreni.

“Dita e 36 e grevës së minatorëve, nga kompania nuk kemi asnjë hap për t’u ulur dhe diskutuar. Ata vijojnë me kokëfortësinë e tyre.

Në SPAÇ na kanë ardhur televizione, personalitete, deputetë. Të enjten ishim të ftuar në Kuvend në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe atë të Ekonomisë, ku parashtruam shqetësimet tona.

Në atë minierë tashmë nuk po punon askush. Fabrika është në punë sepse nuk është përfshirë në sindikatë por procesi i nëntokës është i bllokuar.

Punojnë vetëm personeli me shtetësi turke që kryejnë mirëmbajtjen e galerive sepse nëntoka ka kushte specifike. Ne flemë mbi flori por jemi të varfër”, tha ai.