
Një shpërthim ka goditur një komisariat policie në Srinagar, në Kashmirin e administruar nga India, njoftuan autoritetet të premten. Sipas DW, zyrtarët kanë shprehur frikën për viktima, ndërsa komisariati i Nowgam u përfshi nga flakët pas shpërthimit.
Mediat indiane raportojnë se tetë persona kanë mbetur të plagosur. Sipas agjencisë indiane PTI, shpërthimi ndodhi gjatë manipulimit të materialeve plasëse të sekuestruara gjatë një operacioni policor kundër një celule terroriste.
Pas shpërthimit të parë, disa shpërthime të vogla pasuese penguan për disa minuta ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit dhe zjarrfikësve.
Edhe pse incidenti në Srinagar dyshohet të ketë qenë aksidental, ai vjen në një moment të ndjeshëm për vendin. Të hënën, një makinë shpërtheu në New Delhi, duke vrarë të paktën tetë persona. Qeveria indiane e quajti ngjarjen një sulm terrorist, ndërsa disa të dyshuar u arrestuan në Kashmir në kuadër të hetimeve për rastin.
Shpërthimi në Srinagar pritet të shtojë më tej shqetësimet mbi sigurinë në rajon, teksa hetimet vijojnë.