
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka akuzuar zëvendësministren Belinda Balluku për mungesë transparence dhe përfshirje në çështje të rënda financiare, teksa në Kuvend po diskutohet projektbuxheti i vitit 2026. Ai kërkoi që Balluku të jetë e pranishme në komisionet parlamentare për të dhënë llogari, duke theksuar se ministria që ajo drejton ka buxhetin më të madh të shtetit.
Balliu tha se është e papranueshme të besohen fonde kaq të mëdha një institucioni, kur sipas tij, miliona euro janë “zhdukur” dhe nuk dihet destinacioni i tyre, ndërsa Balluku është nën hetim nga SPAK për aferën e tunelit të Llogarasë.
“50 milionë euro në drejtim të paditur, 10 milionë euro për një urë në drejtim të paditur. Duhet të dalin shqiptarët me tabela ‘Ku është ura’”, deklaroi ai.
Deputeti demokrat shtoi se situata është edhe më absurde në sektorin e energjisë.
“I kërkova si ka mundësi që paguajmë 80 mijë euro në ditë për Tigri 1 dhe 2 që nuk funksionojnë, ndërsa po t’i blinim do të kushtonin 15 milionë euro. Kishin prodhuar 36 orë energji për Tiranën. 80 milionë euro për 36 orë energji për Tiranën. Vjedhje e pafytyrë që edhe vetë kanë turp të thonë po ju vjedhin”, u shpreh Balliu.
Sipas tij, këto shifra tregojnë se qytetarët po përballen me abuzime të paprecedenta dhe se transparenca në përdorimin e fondeve publike është pothuajse e munguar.