
Për herë të parë në gjithë periudhën e tranzicionit, në vitin 2025, skemës së sigurimeve shëndetësore i jepet një mbështetje më e madhe financiare nga buxheti i shtetit sesa skemës së sigurimeve shoqërore.
Sipas ndryshimeve të fundit në buxhetin 2025, transfertat për skemën shëndetësore arrijnë në 39.8 miliardë lekë, ndërsa për sigurimet shoqërore (që përfshijnë kryesisht pensionet) parashikohen 35.8 miliardë lekë, duke përmbysur raportin historik, ku gjithnjë transfertat më të mëdha ishin për skemën e pensioneve.
Barra që buxheti paguan nga taksat e përgjithshme për këto skema po zhvendoset drejt sistemit të shëndetësisë. Arsyeja kryesore lidhet me rritjen e kostove të kujdesit mjekësor, përfshirë shërbimet spitalore, rritjen e pagave në sistemin shëndetësor dhe zgjerimin e programeve të rimbursimit të barnave.
Në vitin 2025, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shëndetësore janë vetëm 23.4 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet pritet të arrijnë në rreth 63.7 miliardë lekë. Diferenca prej 39.8 miliardë lekësh financohet nga buxheti i shtetit.
Në të njëjtin vit, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore pritet të arrijnë në 149.8 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet gjithsej në 185.6 miliardë lekë, me një diferencë prej 35.8 miliardë lekësh, që mbulohet nga taksat e tjera të buxhetit të shtetit.
Ulja e transfertave për skemën e sigurimeve shoqërore lidhet me rritjen e të ardhurave nga kontributet dhe me kufizimet në rritjen e shpenzimeve për pensione, pasi pensionistët e rinj në skemë përfitojnë pagesa më të ulëta, për shkak se nuk plotësojnë kriteret për pensione të plota.
Fakti që skema e sigurimeve shëndetësore po kërkon gjithnjë e më shumë mbështetje nga buxheti tregon se presionet fiskale po zhvendosen drejt sektorit të kujdesit shëndetësor.
Deri vitin e kaluar, pjesa më e madhe e fondeve shtetërore shkonte për pensionet, pasi skema e sigurimeve shoqërore kishte gjithmonë deficit më të madh – të ardhurat nga kontributet nuk mjaftonin për të paguar pensionet dhe shteti duhej të mbulonte diferencën.
Në vitin 2025, megjithatë, sistemi shëndetësor ka nevojë për më shumë fonde nga buxheti, për shkak të rritjes së kostove të kujdesit mjekësor, barnave të rimbursueshme dhe pagave në sektorin shëndetësor.
Sfidat fiskale të vendit po zhvendosen nga pensionet drejt shërbimeve shëndetësore. Kjo tregon se popullsia po kërkon më shumë shërbime mjekësore, ndërsa sistemi i sigurimeve shëndetësore nuk po mbledh mjaftueshëm të ardhura nga kontributet për të përballuar vetë shpenzimet.
Megjithatë, nevojat e popullsisë për shërbime shëndetësore mbeten të mëdha dhe raportet e konvergjencës me BE-në tregojnë se Shqipëria po bën hapa pas në arritjen e standardeve në shumicën e fushave të shëndetësisë./ B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor