Vendosni fjalën kyçe....

Partia e von der Leyen braktis koalicionin centrist për rregullat e gjelbra


Shtrëngimi i duarve të ligjvënësit të qendrës së djathtë, Jörgen Warborn, me René Repasi-n e qendrës së majtë në dalje të Parlamentit Evropian të mërkurën pasdite shënoi fundin e koalicionit të Ursula von der Leyen.

Me atë shtrëngim duarsh, negociatorët e Partisë Popullore Evropiane (EPP) dhe grupet Socialiste dhe Demokratët (S&D) ndërprenë bisedimet për të gjetur një marrëveshje të minutës së fundit për një paketë që synonte shkurtimin e rregullave të gjelbra korporative për bizneset.

“Kjo është ajo që unë do ta interpretoja si fundi i negociatave,” tha Repasi pas bisedës së tij me ëarborn.

Tani grupi i qendrës së djathtë EPP, ku bën pjesë presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, pritet të votojë paketën së bashku me të djathtën të enjten, përveç nëse arrihet një marrëveshje e minutës së fundit në nivel krerësh.

Kjo shënon një shkëputje dramatike nga normat e mëparshme në Parlamentin Evropian, ku grupet centriste kundërshtonin të bashkëpunonin me të djathtën për politika madhore.

Rezultati mund të kthejë pas politikat kyçe nga Marrëveshja e Gjelbër e vetë von der Leyen-it, duke kërkuar që shumë më pak kompani të mbikëqyrin dhe raportojnë mbi dëmet mjedisore dhe sociale të shkaktuara nga operacionet e tyre.

“EPP do votojë për ndryshimet që propozoi pasi Socialistët dhe Demokratët nuk kanë treguar gatishmëri për kompromis dhe vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtin pozicion si një muaj më parë kur marrëveshja e parë dështoi, sepse eurodeputetët socialistë u revoltuan kundër marrëveshjes,” tha zëdhënësi i EPP, Pedro López de Pablo për POLITICO.

Grupi i qendrës së djathtë thotë se ka humbur dëshirën për të gjetur një kompromis të ri me koalicionin centrist pasi i pari dështoi në tetor. Në vend të kësaj, EPP do të votojë për amendamentet e tyre që shkurtojnë në mënyrë thelbësore rregullat e raportimit të gjelbër për bizneset, të cilat grupet e djathta janë të gatshme t’i mbështesin.

Konservatorët dhe Reformistët Evropianë të krahut të djathtë, dhe grupet e djathta Patriotët dhe Evropa e Kombeve Sovrane kanë treguar se do mbështesin amendamentet e EPP-së, ashtu si edhe disa anëtarë të krahut të djathtë të Renew Europë.

Propozimet e EPP-së, nëse miratohen, do rrisnin ndjeshëm pragjet për madhësinë e kompanive që do t’i nënshtroheshin rregullave të raportimit të qëndrueshmërisë korporative dhe rregullave të kujdesit të duhur, ku vetëm ato me 1,750 punonjës dhe të ardhura prej 450 milionë eurosh në vit do duhej të zbatonin rregullat. Komisioni kishte propozuar vendosjen e pragut në 1,000 punonjës.

Gjithashtu do hiqte kërkesat që kompanitë të kenë plane tranzicioni lidhur me ndryshimet klimaetike sipas rregullave të mëhershme.

“Të gjithë e dimë se mund të kalojë me bllokun e krahut të djathtë,” tha një eurodeputet i EPP-së. Megjithatë, zyrtarët theksuan se i gjithë dosja mund të dështojë nëse nuk ka mjaftueshëm eurodeputetë të djathtë që mbështesin pozicionin e EPP-së.

Socialistët dhe të Gjelbrit akuzojnë EPP-në se as nuk ka provuar të përfshihet në bisedime konstruktive. Negociatori i EPP-së, Warborn, ka kundërshtuar të takohet me eurodeputetët që drejtojnë negociatat në emër të S&D, Renew dhe të Gjelbërve në të njëjtën dhomë.

“Ne i kemi propozuar disa mundësi EPP-së, ku ne lëvizim në drejtimin e tyre,” tha eurodeputetja e Gjelbër Kira Marie Peter-Hansen.

“E konsideroj të turpshme që EPP përplas derën për një zgjidhje pro-evropiane, duke kundërshtuar për javë të tëra të takohet me tre grupet demokratike, dhe në vend të kësaj futet në një aleancë me ekstremistët e djathtë.”

https://www.politico.eu/article/far-right-cheers-as-ursula-von-der-leyen-party-epp-abandons-centrist-coalition-over-green-rules/