Vendosni fjalën kyçe....

Bedri Hamza shpall kandidaturën për kreun e PDK-së në Kosovë


Bedri Hamza ka shpallur kandidaturën për kreun e PDK-së në Kosovë pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.

Ai shkruan në rrjetet sociale se “PDK-ja e forcën për t’u bashkuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend”.

“Nga lufta për liri, deri te shtetndërtimi, demokratizimi dhe integrimi, PDK-ja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Me mirënjohje të thellë për themeluesit tanë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, të cilët uroj të jenë së shpejti mes nesh, unë angazhohem për një PDK që ruan vlerat dhe krijon rrugë për gjeneratat e reja. Falënderim i veçantë edhe për dy miqtë e mi, Enver Hoxhajn dhe Memli Krasniqin, për udhëheqjen e tyre me dinjitet në kohë sfidash. Tani është koha për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një Kosovë evropiane. PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve”, shkruan Hamza në Facebook.

Kreu i deritanishëm i PDK-së Memli Krasniqi u dorëhoq një ditë më parë. Në zgjedhjet e fundit Bedri Hamza ka qenë kandidat i PDK-së pë kryeministër. Në zgjedhje e fundit vendore PDK-ja u rendit në vendin e tretë pas Vetëvendosjes dhe LDK-së.