Vendosni fjalën kyçe....

Kongresi i SHBA miraton ligjin e shpenzimeve, i jep fund mbylljes historike 43-ditore të qeverisë



Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA miratoi të mërkurën një projektligj të ri shpenzimesh, duke i dhënë fund mbylljes më të gjatë në historinë e qeverisë federale, që kishte paralizuar administratën për 43 ditë, përcjell DW.

Ligji u dërgua menjëherë për nënshkrim në zyrën e presidentit Donald Trump, i cili e firmosi pak orë më pas.

“Me këtë nënshkrim, qeveria federale do të rifillojë funksionimin normal. Administrata ime, bashkë me Kongresin, do të vazhdojë punën për të ulur koston e jetesës, për të rikthyer sigurinë publike, për të rritur ekonominë dhe për ta bërë Amerikën të përballueshme sërish,” tha Trump.

Projektligji, që u miratua në Senat të hënën, u votua në Dhomën e Përfaqësuesve me 222 vota pro (përfshirë gjashtë demokratë) dhe 209 kundër. Vetëm dy republikanë votuan kundër paketës.
Buxheti i përkohshëm do të financojë qeverinë amerikane deri në fund të janarit 2026.

Qeveria federale u mbyll më 1 tetor, pasi demokratët dhe republikanët nuk arritën kompromis për një projektbuxhet të hartuar nga republikanët.
Demokratët kërkonin zgjatjen e një kredie tatimore të zgjeruar, e cila ndihmon qytetarët të përballojnë sigurimin shëndetësor përmes programit Affordable Care Act.
Ata refuzuan ta mbështesin buxhetin e përkohshëm, duke thënë se ai do t’u hiqte mbështetjen shëndetësore miliona amerikanëve.

Kriza shkaktoi pasoja të rënda: qindra mijëra punonjës federalë mbetën pa paga, udhëtarët u bllokuan në aeroporte, dhe shumë familje u detyruan të kërkonin ndihmë në bankat e ushqimit.

Mospajtimet mes partive thelluan ndarjet politike në Kongres.
Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, fajësoi demokratët për krizën, duke e quajtur “një ushtrim të kotë, të gabuar dhe mizor”.

Nga ana tjetër, demokratët thanë se beteja për sigurimin shëndetësor nuk ka përfunduar.

“Kjo betejë nuk ka mbaruar. Ne sapo kemi filluar,” tha lideri i demokratëve, Hakeem Jeffries.

Edhe pse një grup senatorësh demokratë moderatë iu bashkuan republikanëve për të votuar në favor të hapjes së qeverisë, drejtuesit e partisë theksuan se do të vazhdojnë përpjekjet për të siguruar vazhdimin e subvencioneve shëndetësore në votimin e dhjetorit në Senat.