
Drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes projektbuxhetin për vitin 2026, i cili parashikon një fond prej 3 miliardë lekësh, me një rritje prej 172 milionë lekësh krahasuar me vitin e kaluar.
Hyseni tha se fondet e parashikuara do të mbulojnë “paga e sigurime për personelin, mallra, shërbime dhe transferta për individin,” duke theksuar se buxheti synon të garantojë mbulimin e nevojave bazë të institucionit.
Drejtuesja e SHISH-it kërkoi që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura, për shkak të natyrës së ndjeshme të informacionit. Por opozita kundërshtoi, duke kërkuar që mbledhja të ishte publike. Deputetët opozitarë argumentuan se në diskutimin e buxhetit “nuk ka sekret shtetëror”, pasi në këtë fazë flitet për shifra makro dhe jo për çështje operative të sigurisë.
Pas prezantimit të Hysenit, seanca vijoi përkohësisht me dyer të hapura, ku deputetët e opozitës kërkuan rritje të ndjeshme të fondeve për pajisje dhe teknologji.
Deputeti demokrat Isuf Çelaj propozoi që shpenzimet kapitale të rriten nga 6.6% në 15% deri në vitin 2028, duke theksuar nevojën për forcimin e kapaciteteve teknologjike në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe infiltrimit në ekonomi, sidomos në sektorin e turizmit.
Ndërsa deputeti Erald Kapri u shpreh se buxheti i parashikuar “nuk është i mjaftueshëm për sfidat që ka vendi në raport me sigurinë kombëtare dhe kërcënimet e reja që përballet Shqipëria.”