Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Mafia lëviz lirshëm nën mbrojtjen e policisë, s’ka siguri pa u ndarë politika nga krimi


Kreu i Partisë Mundësia tha mbrëmjen e sotme se bosët e krimit në vend lëvizin lirshëm nën mbrojtjen e policisë.

Shehaj ka shpërndarë në Facebook videon e atentatit ndaj Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit te rrethrrotullimi i Rinasit ndërsa thekson se SPAK në disa raste ka dhënë alarmin se policia dekonspiron aksionet ndaj kriminelëve duke çuar në dështimin e tyre.

“Në një vend normal, një atentat mafioz pranë Aeroportit do të ishte alarm kombëtar. Kur një bos krimi vritet në mes të ditës, i shoqëruar nga një Agjent i Mbrojtjes Policore i cili kthehet në truprojën e kriminelit, kjo tregon qartazi se sa e implikuar është Policia e Shtetit me krimin. E njëjta polici për të cilën SPAK ka ngritur disa herë alarmin se i dekonspiron aksionet dhe ka ndihmuar personazhe nga bota e krimit dhe politikës të arratiset duke dështuar disa operacione arrestimesh. Ndërsa ministrja flet për suksese, realiteti është se mafia lëviz me mbrojtje nga policia. Shqipëria nuk do të jetë e sigurt derisa pushteti të ndahet nga krimi dhe drejtësia të mos ndalet te bandat, por të shkojë deri lart te politika që i mbron”, shkruan Shehaj.