
Shqipëria do të mbajë më 17 nëntor konferencën e radhës ndërqeveritare me Bashkimin Europian, në të cilën do të hapet grupkapitulli i fundit i negociatave, ai që përfshin “Bujqësinë dhe Kohezionin”.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi këtë arritje si një rekord të padiskutueshëm në procesin e integrimit europian.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se Shqipëria ka arritur të hapë të gjithë kapitujt e negociatave brenda vetëm 12 muajve, duke e përshkruar këtë si “të pamendueshmen”.
“Shqipëria e arriti të pamendueshmen, të gjithë kapitujt e negociatave të hapur brenda 12 muajsh – rekord absolut në procesin e integrimeve europiane. Asgjë nuk na del dot përpara drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE. Askush nuk na ndal dot drejt objektivit madhor të mbylljes së negociatave brenda 2027,” – shkruan Rama.
Kryeministri shtoi se, pavarësisht sfidave, vendi po ecën me hapa të sigurt drejt qëllimit përfundimtar të integrimit europian, duke theksuar progresin ekonomik dhe shoqëror të muajve të fundit.
“Përtej vështirësive, pengesave, dëmtimeve të pashmangshme apo baltës së pandashme, në ngjitjen e kësaj të përpjete historike, ne po e rrisim e forcojmë muaj pas muaji Shqipërinë,” – shkruan Rama, duke renditur disa nga arritjet e qeverisë:
– ekonomi që po rritet,
– pensione që po rriten,
– pagë minimale që po rritet,
– pagat e tjera që po rriten,
– investime të brendshme dhe të huaja që po rriten,
– mbështetje më e madhe për më të dobëtit dhe për të sëmurët me kancer,
– pa rritur asnjë taksë dhe me përmirësim të vazhdueshëm të punës së institucioneve shtetërore.
“Shqipëria punon dhe fiton përditë e më shumë respekt,” përfundon Rama.