
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Wrong Call”, duke zbuluar një ambient në zonën e Selitës, i cili ishte përshtatur si call center që përdorej për mashtrime ndaj shtetasve të huaj.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ndërhyrjes në ambientin ku zhvillohej veprimtaria e paligjshme, u kapën pesë persona në flagrancë, ndërsa tre u arrestuan, dhe dy punonjëse u proceduan penalisht në gjendje të lirë.
Në pranga ranë:
K. S., 25 vjeç, i dyshuar si menaxher i aktivitetit mashtrues;
F. K., 24 vjeç, dhe E. A., 25 vjeç, punonjës të “call center”-it.
Ndërsa u proceduan penalisht punonjëset E. Sh., 22 vjeçe dhe E. Z., 19 vjeçe.
Nga hetimet paraprake, ambienti ishte marrë me qira nga shtetasit E. S., 34 vjeç (vëllai i menaxherit) dhe A. K., 35 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim policor.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi pajisje kompjuterike, telefona celularë dhe prova të tjera materiale që lidhen me veprimtarinë mashtruese.
Sipas policisë, skema konsistonte në kontaktimin e shtetasve të huaj përmes telefonatave dhe bindjen e tyre për të investuar në “bursa” fiktive, duke përfituar shuma parash në mënyrë të paligjshme.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.