
Në javët e fundit, Kina ka lëshuar një sërë deklaratash, artikujsh dhe imazhesh që analistët i shohin si sinjal të një faze të re dhe më agresive në qasjen e Partisë Komuniste ndaj Tajvanit, përcjell Guardian.
Në artikuj të publikuar në mediat shtetërore, Pekini ka detajuar si do të qeverisej Tajvani pas “ribashkimit”, duke propozuar një sistem “një vend, dy sisteme”, të ngjashëm me atë të Hong Kongut e Makaos — një formulë që Tajvani e ka refuzuar prerë, veçanërisht pas shtypjes së autonomisë në Hong Kong.
Zyrtarë të Tajvanit e kanë quajtur këtë një përpjekje për të “ulitur statusin ndërkombëtar të Tajvanit dhe për ta ‘hongkong-izuar’ atë”, ndërsa në anën tjetër Pekini ka paralajmëruar se pas ribashkimit “rreziqet e luftës të shkaktuara nga separatistët e pavarësisë” do të eliminoheshin.
Pjesë e kësaj fushate është edhe shpallja e një feste të re kombëtare, “Dita e Rikthimit”, më 25 tetor — që në Tajvan shënon fundin e kolonizimit japonez, por që Pekini e ka riinterpretuar si ditën kur “Tajvani iu rikthye Kinës”.
Në të njëjtën kohë, Kina publikoi imazhe satelitore të destinacioneve turistike dhe qendrave ekonomike të Tajvanit, si Tajpei, Alishan dhe Hsinchu Science Park, të shoqëruara me mbishkrimin “Përtej ngushticës, nën të njëjtin qiell”, duke dhënë një mesazh simbolik të kontrollit të plotë mbi ishullin. Tajvani e quajti këtë veprim “fëminor dhe voyeuristik”.
Sipas analistëve, këto veprime tregojnë një “normalizim të hapave që Kina dikur i kufizonte” dhe një përpjekje për të forcuar presionin ndërkombëtar ndaj Tajvanit përpara takimit të mundshëm mes Xi Jinping dhe Donald Trump në Pekin në prill 2026.