Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Masakra në Rinas ka prapavijë shtetërore – protesta e 18 nëntorit do të kërkojë largimin e Ballukut



Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, deklaroi se masakra në Rinas ka prapavijë shtetërore, duke vënë në dyshim mungesën e policisë dhe të kamerave në segmentin rrugor ku ndodhi ngjarja.

“Mund të duket teori e rëndë, por patjetër që ka prapavijë shtetërore. Është e pamundur që në Fushë-Krujë të mos ketë drita në të njëjtin orar, të mos punojnë kamerat dhe të mos ketë policë. Aty nuk bën dot as një parakalim, sepse ka trafik; aty kanë humbur me mijëra njerëz, kanë humbur avionin sepse nuk arrijnë dot në fluturim”, tha Këlliçi.

Në të njëjtin intervistë, deputeti demokrat foli edhe për protestën e paralajmëruar më 18 nëntor përpara Kryeministrisë, e cila do të ketë si kërkesë kryesore largimin e menjëhershëm të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, pas marrjes së saj si e pandehur nga SPAK.

“Protesta e 18 nëntorit do të ketë si moto largimin e menjëhershëm të Belinda Ballukut. Ne kemi zhvilluar një protestë 44 javë me radhë përpara Bashkisë së Tiranës dhe ajo është anatemuara, na janë numëruar protestuesit, është bërë profilizimi i folësve dhe është ushtruar çdo lloj presioni për ta mbyllur atë protestë,” tha Këlliçi.

Ai shtoi se opozita tashmë ka një “eksperiencë të vyer” në organizimin e rezistencës qytetare, duke theksuar se kjo protestë nuk do të kufizohet vetëm në një ecje simbolike.

“Nuk na duhet vetëm ecje në bulevard. Do të kërkojmë me vendosmëri largimin e menjëhershëm të Belinda Ballukut,” theksoi ai.

Sipas Këlliçit, çështja e Ballukut nuk është e izoluar, por pjesë e një sistemi të ndërtuar mbi korrupsionin dhe llogaridhënien e munguar:

“Duhet kuptuar që këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me Belinda Ballukun, por me një sistem të tërë. Ajo ka kryer shkelje dhe ka urdhëruar vartësit e saj. Balluku është zyrtarisht përgjegjëse e institucionit që ka qenë autoritet kontraktor në këtë rast, por ajo i bën këto për llogari të Edi Ramës,” tha deputeti demokrat.