
Një 30-vjeçar është plagosur me thikë pas një konflikti në lagjen “24 Maji” të Vlorës. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 10 nëntorit, ndërsa falë veprimeve të shpejta të policisë, janë arrestuar në flagrancë autori dhe bashkëpunëtori i tij.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Vlorës, në pranga ranë:
E. L., 32 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”;
A. L., 23 vjeç, po nga e njëjta lagje, për “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzim i krimit”.
Hetimet zbuluan se konflikti mes të rinjve kishte nisur më herët për motive të dobëta, të cilat më pas janë përshkallëzuar në dhunë fizike. Gjatë përleshjes, E. L. ka goditur me thikë në kraharor dhe qafë shtetasin B. S., 30 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal të Vlorës nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve, policia sekuestroi një armë gjahu pa leje dhe një thikë e dyshuar si arma e krimit, ndërsa në automjetin e A. L., me të cilin ishte transportuar i plagosuri drejt spitalit, u gjet një tjetër thikë.
Materialet hetimore i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme ligjore.