Vendosni fjalën kyçe....

Dëshmia e ish-diplomatit, Hill: Millosheviçi mendonte se po hiqnim dorë nga Rugova për UÇK-në


Sot është dita e tretë e dëshmisë së Christopher Hill.

Në paraqitjen e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Christopher Hill, tha se Hashim Thaçi nuk e drejtonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, UÇK-ja nuk kishte strukturë me organizim hierarkik.

Sipas Hillit, Thaçi nuk mund të merrte vendime në emër të UÇK-së gjatë bisedimeve në Rambuje, duke shtuar se ai nuk ishte komandant, por “i duhej t’i pyeste komandantët në Kosovë për të dhënë një qëndrim”.

Për herë të parë Hill tha se u takua me Thaçin më 1998.

Në ditën e dytë të dëshmisë, Hill tha se ai po merrte pjesë në këtë proces gjyqësor pasi nuk besonte, dhe as nuk kishte dëgjuar që Thaçi gjatë luftës kishte urdhëruar për aktivitete të paligjshme.

Sa i përket rolit të Rexhep Selimit, ish-diplomati amerikan tha se nuk mbante mend që ai të kishte ndonjë pozitë të lartë në UÇK, “por kishte qëndrime të vlefshme”.

Hill tha, po ashtu, se nuk ishte i sigurt që Thaçi ishte një ndër themeluesit e UÇK-së. Christopher Hill u pyet pse ish-udhëheqësi i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, përmendi me emër Hashim Thaçit gjatë takimit të tyre, shkruan REL.

“Millosheviçi mendonte se ne po largoheshim nga [Ibrahim] Rugova dhe mendonte se ishte gabim i rëndë sepse mendonte se atij i duhej të merrej me UÇK-në, që kishte qëndrim të ashpër.

Rugova asnjëherë nuk kërkoi më pak se pavarësia, por pranoi se nuk ishte i interesuar për luftën e armatosur”, tha Hill.
Sipas Hillit, Millosheviç ishte i shqetësuar se “ne do ta mënjanonim Rugovën dhe të zgjidhnim UÇK-në si partneren tonë. Pse shqetësohej për këtë, nuk jam i sigurt”.

Ai tha se ndjesi të tillë kishin edhe të tjerët dhe kishte edhe brenda SHBA-së që mendonin se duhej komunikuar më shumë me UÇK-në.