Vendosni fjalën kyçe....

Ankaraja synon praninë në Gaza dhe zgjeron rolin në marrëveshjen për Sirinë



Një zhvillim i ri diplomatik po formëson një bashkëpunim të ri mes Uashingtonit dhe Ankarasë, teksa Turqia kërkon një rol më të gjerë në Gazë pas luftës dhe thellon përfshirjen e saj në procesin për Sirinë, përcjell YNetNews.

Sipas burimeve diplomatike, të hënën në Uashington u mbajt një takim i rrallë trepalësh mes ministrit të Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani, ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan, dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, nën udhëzimet e presidentit Donald Trump. Qëllimi i takimit ishte integrimi i forcave kurde në strukturat shtetërore siriane dhe bashkërendimi i përpjekjeve për stabilizimin e Gazës.

Burime të afërta me bisedimet thanë se Ankaraja ka ofruar vendosjen e trupave turke në një mision të mundshëm shumëkombësh në Rripin e Gazës, duke argumentuar se përvoja e saj në operacionet humanitare dhe ushtarake në Lindjen e Mesme e bën atë një aktor kyç në periudhën e pasluftës.

Megjithatë, Egjipti dhe Izraeli kanë shprehur rezerva të forta ndaj një roli aktiv turk, duke argumentuar se një prani e tillë mund të përziejë agjendat rajonale me interesat e sigurisë në Gaza.

Në të njëjtën kohë, Turqia po përpiqet të ripozicionojë veten si ndërmjetëse në marrëveshjet përfundimtare në Siri, duke bashkërenduar me SHBA-të për të përfshirë forcat kurde në një zgjidhje politike që synon stabilitet afatgjatë.

Diplomatë perëndimorë e kanë cilësuar këtë aks të ri SHBA–Turqi si një riformësim të ekuilibrave në rajon, në një moment kur tensionet në Gaza, Siria dhe kufijtë veriorë të Irakut janë sërish në qendër të zhvillimeve.