
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Shkodër ka bllokuar 75 ton të tjerë misër blegtoral, vetëm pak ditë pas ndalimit të 25 tonëve nga i njëjti subjekt eksportues, duke e çuar në 100 ton sasinë totale të ndaluar.
Sipas drejtorit të AKU Shkodër, Ramir Haderi, misri i ardhur nga Serbia është bllokuar në doganën e Hanit të Hotit, për t’iu nënshtruar analizave laboratorike, me qëllim përcaktimin e pranisë së aflatoksinës B1 — një substancë toksike dhe kancerogjene që tejkalon normat e lejuara në Shqipëri.
Gjithashtu, AKU ka bllokuar një fermë në fshatin Trush, pasi nga sistemi i gjurmueshmërisë rezultoi se ajo furnizohej me misër nga i njëjti subjekt i ndaluar në doganë.
Burime nga dogana e Hanit të Hotit bëjnë të ditur për News24 se deri tani janë bllokuar rreth 200 ton misër, për të cilat do të kryhen analizat përkatëse. Nëse konfirmohet prania e substancave të ndaluara, ngarkesat nuk do të lejohen të hyjnë në territorin shqiptar.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se po monitoron me kujdes situatën dhe pret rezultatet laboratorike për çdo produkt blegtoral që importohet nga Serbia.