
Një mbledhje e tensionuar e Këshillit Bashkiak të Pogradecit degjeneroi sot në përplasje fizike, pas miratimit të një vendimi që parashikon dhënien me qira të 34.660 hektarëve tokë në zonën e Çërravës.
Vendimi, i miratuar me 20 vota pro, ka shkaktuar debate të forta mes anëtarëve të këshillit dhe përfaqësuesve të komunitetit.
Sipas dëshmitarëve, situata doli jashtë kontrollit kur këshilltari demokrat Engjëll Shyti u ngrit nga vendi dhe u përlesh fizikisht me qytetarin Kevi Muçllari, banor i zonës së Çërravës.
Në videon e bërë publike nga pjesëmarrësit, dëgjohen replika të ashpra midis tyre.
“Turp të keni, legena!” – dëgjohet duke thënë qytetari, ndërsa Shyti i përgjigjet me tone të larta: “Mua më thua legen ti mo? Legen thuaji motrës tënde në shtëpi, jo mua këtu!”
Debati është shoqëruar me tensione dhe ndërhyrje nga pjesëmarrës të tjerë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm. Të dy, si këshilltari ashtu edhe qytetari, janë shoqëruar në polici për sqarim rrethanash dhe veprime të mëtejshme.
Pas incidentit, Kevi Muçllari deklaroi se përplasja ndodhi pas një qëndrimi që ai mbajti kundër vendimit për dhënien me qira të tokave, duke e quajtur atë “të padrejtë dhe të dëmshëm për komunitetin”.
“Këshilltarët turp të kenë që mbajtën këtë qëndrim. Kjo punë nuk do mbetet me kaq. Ne do ndjekim të gjitha hapat ligjorë, sepse e gjithë komuniteti është i prekur,” tha ai për mediat.
Mbledhja u ndërpre për disa minuta dhe rifilloi më pas nën masa të shtuara sigurie, ndërsa tensionet mbeten të larta mes përfaqësuesve lokalë dhe banorëve të zonës.