
Një shpërthim i fuqishëm në një makinë pranë Red Fort, monumentit historik në Delhi, ka lënë të paktën tetë persona të vdekur dhe 20 të tjerë të plagosur, kanë konfirmuar autoritetet indiane.
Zëdhënësi i policisë së qytetit, Sanjay Tyagi, i tha BBC-së se shpërthimi ndodhi rreth orës 18:52 me orën lokale (13:52 GMT), kur një automjet i llojit Hyundai i20 ndaloi në një semafor dhe shpërtheu, duke dëmtuar disa mjete të tjera përreth. Në automjet ndodheshin tre persona në momentin e ngjarjes.
Policia e Delhit po heton shkaqet e shpërthimit dhe “po eksploron të gjitha mundësitë”, ndërsa Komisioneri i Policisë Satish Golcha tha se në vendngjarje janë dërguar ekspertë të sigurisë kombëtare dhe hetues të specializuar.
Pas shpërthimit, Mumbai dhe shteti fqinj Uttar Pradesh janë vendosur në gjendje të lartë gatishmërie, ndërsa siguria është shtuar në vende fetare dhe zona të ndjeshme.
Red Fort, një nga monumentet më të njohura të Indisë, ndodhet pranë një stacioni metroje dhe është vizituar çdo ditë nga mijëra turistë. Kalaja Mughal e ndërtuar në shekullin e 17-të është gjithashtu vendi ku kryeministri i Indisë mban çdo vit fjalimin për Ditën e Pavarësisë.
Kryeministri Narendra Modi shprehu ngushëllimet për viktimat, ndërsa lideri i opozitës Rahul Gandhi e quajti lajmin “jashtëzakonisht tronditës”. Ministri i Brendshëm Amit Shah tha se ngjarja po hetohet nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NIA), Forcat e Sigurisë Kombëtare (NSG) dhe ekspertë të forenzikës.
“Ne po hetojmë të gjitha pistat dhe do të zhvillojmë një hetim të plotë, duke marrë në konsideratë çdo mundësi,”
— tha Shah, duke shtuar se rezultatet do të publikohen sapo të jenë gati.
Dëshmitarë në vendngjarje përshkruan skena kaotike dhe shkatërruese. Veeru Sindhi, një biznesmen lokal, tha se kishte parë trupa të djegur dhe makina të përfshira nga flakët:
“Jam plotësisht i tronditur nga ajo që pashë. Ne përpiqeshim të ndihmonim njerëzit e bllokuar në makina.”
Në zonë ka prani të shtuar të forcave të armatosura, përfshirë njësitë e Anti-Terrorist Squad (ATS), NSG dhe Central Reserve Police Force (CRPF). Hetimet vijojnë ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë, përfshirë edhe atë të një sulmi të qëllimshëm.